Rikthehet Kuvendi/ Sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve, zbardhet agjenda

Pas dy muajsh bmungesë, Kuvendi i Shqipërisë, pritet të rifillojë punimet me një seancë plenare më 29 maj, ora 12:00.

Vendimi është firmosur para pak ditësh nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila prej marrjes së detyrës ka qenë më aktive në media sesa në sallën e Parlamentit.

Paraditen e sotme, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, që sipas rregullores, do të vendosë për seancën më të afërt plenare.

Kjo do të jetë hera e fundit për shumë nga deputetët, përfshirë edhe kryetarët aktualë të grupeve parlamentare, që janë pjesë e Konferencës së Kryetarëve, për shkak se një pjesë prej tyre nuk arritën të fitojnë në zgjedhjet e datës 11 maj.

Konferenca e Kryetarëve, do të vendosë për kalendarin e punimeve gjatë muajit qershor, kur pritet të vijojë agjenda e projektligjeve që lidhen me integrimin evropian, procesi i mbetur në mes për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, shtyrja e afatit të punës së komisioneve të posaçme për medien dhe antikorrupsionin, si dhe iniciativa të mbartura nga sesionet e shkuara.

Në këtë periudhë tranzitore, Kuvendi do të presë raportimet vjetore të të gjitha institucioneve publike, nga ato kushtetuese e deri tek agjencitë e pavarura.

Ky është një moment kyç për të bërë bilancin e veprimtarisë së tyre para legjislaturës aktuale, përpara se t’ua dorëzojnë stafetën deputetëve të rinj në shtator.

LEGJISLATURA E RE

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së mëparshme.

Duke qenë se mandati i Kuvendit aktual përfundon më 9 shtator 2025, seanca e parë e Kuvendit të ri pritet të zhvillohet brenda datës 19 shtator.

Në këtë seancë të parë, deputetët e rinj do të bëjnë betimin dhe do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, duke shënuar fillimin zyrtar të legjislaturës së tridhjetë e dytë të Shqipërisë.


Shtuar 26.05.2025 09:42