Rikthehet Basha në politikën aktive? Takohet me gratë demokrate të Tiranës (FOTO)

Lulzim Basha ka zgjedhur të qendrojë i distancuar nga zhvillimet politike të fundit në vend.

Ai nuk ka bërë reagime publike për protestën e opozitës, e as ka dhënë prezencën e tij në Kuvendin e Shqipërisë. Por me sa duket, tashmë Basha ka zgjedur të jetë më aktivë në jetën politike.

Ai është takuar sot me gratë demokrate të kryeqytetit. Basha është fotografuar teksa është në një takim me gratë demorkate në Tiranë.

Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, i cili aktualisht ka edhe vulën e parties.

Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore.

Kjo seancë gjyqësore do të vendosë mbi fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, si edhe do të zgjidhë përfundimisht ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ndarë kështu se cili nga kampet do të regjistrohet për zgjedhjet vendore nën siglën e PD-së. Çështja do të shqyrtohet nga Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja.

Nëse Apeli do të lërë në fuqi vendimin e Zhukrit, do të jetë Sali Berisha ai që do të marrë kontrollin e Partisë Demokratike dhe do të futet në garë me kandidatët e dalë nga procesi i primareve. Por nëse Apeli do të rrëzojë vendimin e Zhukrit, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me logon e PD-së, ndonëse ai deri më tani ka prezantuar shumë pak kandidatë dhe për Tiranën, ku do të jetë më e fortë beteja elektorale, ende nuk ka një emër.

Nëse këtë ‘betejë’ e fiton Alibeaj, për të marrë pjesë në zgjedhje Berishës do t’i duhet t’i gjejë një mënyrë tjetër për t’u futur në zgjedhje, nën siglën e partive aleate. Që do të thotë do të përsëritet skenari i zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, në të cilat Berisha u fut bashkëpunoi me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe u futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri./Albeu.com/


Shtuar 16.02.2023 22:52