Që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë raund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
E gjithë kjo ndodhi për shkak të krizave dhe tensioneve në veri të Kosovës.
Së fundmi kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas gjatë vizitës që pati në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë u shpreh se dialogu është domosdoshmëri për ecjen e të dyja vendeve drejt familjes evropiane.
Kallas u shpreh se “tani është koha për riangazhim” nga Kosova dhe Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ajo tha se planifikon të ftojë në Bruksel “sa më parë të jetë e mundur” përfaqësues nga të dy vendet “për të diskutuar hapat përpara” – pa përmendur se kush do të marrë ftesë saktësisht.
Pavarësisht këtyre deklaratave, Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur mund të rinis procesi i dialogut.
Të pyetur nga Telegrafi se a ka ndonjë datë të caktuar dhe a janë dërguar ftesat për pjesëmarrje të palëve në takimin e ardhshëm për dialogun, nga zyra e BE-së në Bruksel nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
“Faleminderit për mesazhin. Do të komunikojmë në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në shkurt të vitit 2023 kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq pas një muaji, me 18 mars janë pajtuar për aneksin e zbatimit të saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, zbatimi i saj ende nuk shihet në horizont.
Kosova vazhdimisht ka akuzuar Serbinë se po shkel marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Madje, sipas institucioneve kosovare, Serbia praktikisht është tërhequr nga kjo ujdi në dhjetor të vitit 2023, kur i ka dërguar letër Brukselit zyrtar se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.