Revoltohet aktivistja: Ku thërret qameti, vajza që rriten me ambicien për të marrë një copë burrë

Rastet e fundit që kanë qarkulluar në media, si martesa e 14-vjeçares në Divjakë me 34-vjeçarin, apo abuzimit seksual të kardiokirurgut Dervish Hasi, 42-vjeç me 16-vjeçaren, që e prezantonte si gruan e tij të tretë, kanë shkaktuar debate të forta mbi marrëdhëniet dhe martesat me të mitur.

Gjatë një interviste, aktivistja Suela Koçibellinj, thekson se mekanizmat që mund të ndihmojnë janë mbrojtja ligjore, shtrëngimi i masave dhe ndërgjegjësimi.

Lidhur me këtë të fundit, Koçibellinj thotë se është një proces i gjatë.

Megjithëse fëmijët kanë nisur të flasin, zonat jashtë kryeqytetit jetojnë në një realitet krejt të ndryshëm.

Suela Koçibellinj: “Nëse dalim jashtë Tiranës, vajzat në klasën e nëntë janë të fejuara. E shoh që në klasën e nëntë një ndër ambiciet kryesore të vajzave që sigurisht mungon gjithçka në zonën ku ato jetojnë, u mungon socializimi, u mungon ndoshta ushqimi, rrobat, jeta e bukur, qejfet, maksimumi që ato kanë në ambicien e tyre është të gjejnë, t’ua gjejnë prindërit një partner, diku emigrant, kryesisht po themi në Angli dhe kjo është ambicia më e madhe. Mua kjo më dhemb, që ne po rrisim ende sot vajza që ambicia më e madhe e tyre është për të marrë një copë burrë dhe kjo është ku thërret qameti, më vjen keq që e them kështu sepse sigurisht që partneri i jetës është një zgjedhje e cila duhet të merret nga njerëz që dinë të marrin vendime dhe prandaj mosha 18 vjeç po themi është mosha minimale ku ti mund të martohesh sepse pretendohet që ti ke arritur atë pjekuri emocionale, psikologjike edhe biologjike, në të gjithë të tërën tënde për të marrë vendime dhe kur ne mendojmë që një 15-vjeçare do të marrë vendimin për jetën, këtu pastaj jemi te “ku jemi?” Jemi akoma keq”.

Koçibellinj sjell në vëmendje edhe ‘shfajësimin’ e abuzuesve që e justifikojnë sjelljen dhe veprën e tyre përmes viktimës.

Suela Koçibellinj: Shpeshherë dëgjoj edhe pjesën tjetër që burrat se edhe burra nuk u thua dot me thënë të drejtën, ndonjëherë ke edhe revoltë dhe nuk e thua dot, përdorin faktin dhe thonë “hë se 15 vjeçe është e rritur ajo, ajo është çikë e përdredhur, është çikë vajzë e hedhur” dhe ndërkohë mund të themi për një 15-vjeçare “është vajzë e hedhur?” Jo, më vjen keq. Ke ti probleme me trurin tënd që po shikon një vajzë 15-vjeçare e cila ka dëshirë të shijojë jetën, kaq dhe ti duhet të distancohesh nga kjo sjellje dhe mundohen gjithmonë kjo gjini mashkullore për të gjetur justifikimin e veprave të tyre dhe sjelljeve të tyre devijante pikërisht te viktima”.


Shtuar 30.01.2024 13:13