Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar nga prefekti Tauland Malshi, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave në Lezhë për të analizuar situatën e reshjeve dhe masat që do të merren në orët në vijim.
Pas mbledhjes, Vengu deklaroi se situata mbetet dinamike dhe se strukturat janë në angazhim maksimal. Ai theksoi se janë kërkuar mjete shtesë, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka reaguar menjëherë.
Forcat e ushtrisë janë dislokuar në Kurbin, zonën më të prekur nga reshjet, si dhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme. Ndërkohë, po ndërhyhet në tre ura që kanë pësuar dëmtime.
Në Bashkinë e Lezhës janë evakuuar 4 familje, të strehuara në konviktin e shkollës profesionale.
Në lagjen “Sake” disa banesa mbeten të rrezikuara, por ndërhyrja kërkon miratim nga Ministria, pasi zona është e mbrojtur.
Situatë kritike paraqitet edhe në Kallmet, ku rezervuari ka arritur nivelin maksimal. Probleme raportohen edhe në Dragushë e Dajç, ku kanalet e ujërave të larta mund të shkaktojnë përmbytje nëse reshjet vazhdojnë.
Në Kurbin është evakuuar një familje në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata është më e qetë, me rrëshqitje dhe prani inertesh në disa rrugë rurale, ku është ndërhyrë gjatë ditës.
Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa probleme.
Ndërhyrje janë kryer në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në ato të Zadrimës për të shmangur përkeqësimin e situatës.
OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë mëngjesin e sotëm, por furnizimi është rikthyer pas ndërhyrjeve teknike.
Ndërkohë, Policia e Lezhës ka shtuar patrullat në akset me rrezik për të kufizuar qarkullimin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes.
Ministri Vengu kërkoi vijimin e gatishmërisë së plotë të të gjitha strukturave, pasi reshjet pritet të vazhdojnë.
