Këtë të premte, që në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kukësi është përfshirë nga moti i keq me erëra të forta, shtrëngata dhe reshje intensive shiu.
Rrufe të njëpasnjëshme ndriçuan horizontin, ku banorët u zgjuan nën zhurmën e vetëtimave dhe bubullimave të fuqishme.
Shiu ka rënë për gati tre orë pandërprerë, duke përfshirë jo vetëm Kukësin, por të gjithë zonën veriore të vendit.
Këto reshje intensive kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave aktive të zjarrit, të cilat prej ditësh kishin qenë një shqetësim serioz për banorët dhe strukturat e emergjencës, sidomos në zonën e Fushë Arrëzit.
Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura, janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore, si në rrugët rurale ashtu edhe në ato nacionale që lidhin Kukësin me zonat përreth.
Megjithatë, deri në këto momente nuk është raportuar për bllokime të rrugëve apo dëme serioze.
Autoritetet lokale janë në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për largimin e gurëve e dherave nga rruga.