Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën dhe dy banesa në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa.

Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa fatmirësisht banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.

Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, duke përmbytur pazarin e gjësë së gjallë. Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 metra.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar dhe si masë parandaluese janë evakuuar 12 banesa.

Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë, vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.


Shtuar 7.01.2026 08:13