Reshjet e dendura të shiut shembin urën e Glinës, pesë fshatra të Dropullit mbeten të izoluar

Prej tre ditësh, ura e fshatit Glinë në Bashkinë Dropull është dëmtuar rëndë për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe tejfryrjes së lumit Drino.

Dëmtimet serioze në kolonat e betonit e kanë bërë urën të paqëndrueshme, duke ndërprerë lidhjen e pesë fshatrave të Njësisë Administrative Dropull i Sipërm me zonën e poshtme.

Në terren ndodhen punonjës të emergjencave civile, të cilët po vlerësojnë shkallën e dëmeve, ndërsa banorët e Radatit, Glinës, Vrahogoranxit, Peshkëpisë së Sipërme dhe Peshkëpisë së Poshtme kanë mbetur të izoluar.

Banorët shprehen se dëmtimi i urës i ka penalizuar, pasi rruga provizore që po hap bashkia nuk plotëson asnjë nga parametrat e sigurisë dhe terreni paraqet mjaft vështirësi.

Situata mbetet e rënduar, pasi pjesa më e madhe e banorëve të këtyre fshatrave janë të moshuar dhe të varur nga një lidhje e sigurt rrugore për nevojat e tyre bazë.


Shtuar 22.11.2025 16:09