Reshjet e dendura të shiut “paralizojnë” trafikun në kryeqytet, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor në hyrje dhe dalje të Tiranës, si edhe brenda qytetit.

Raportohet se dytësorja e autostradës Durrës-Tiranë është bllokuar pothuajse totalisht për shkak të trafikut të rënduar dhe prezencës së ujit në disa akse. Ndërkohë, situata paraqitet edhe më problematike në rrugët urbane të kryeqytetit.

Vonesa të mëdha dhe autokolona të gjata janë regjistruar në Rrugën e Laprakës, te zona e “21 Dhjetorit”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, si edhe përgjatë Rrugës së Kavajës dhe Bulevardit “Bajram Curri”.

Probleme në qarkullim janë raportuar gjithashtu në zonën e Ali Demit, në Rrugën e Dibrës, në rrugën “Xhanfize Keko”, si edhe në aksin që të çon drejt Tufinës, ku mjetet lëvizin me vështirësi për shkak të trafikut të rënduar.