Moti i keq me reshje masive shiu vijon të mbajë të mbërthyer vendin, duke shkaktuar përmbytje në shumë qytete.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), si pasojë e reshjeve këtë të diel mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Rrezik të shtuar për përmbytje lokale do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.
Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit, të cilat do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat dhe mund të krijojnë vështirësi në transportin rrugor.
Sot priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.
Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë, në bregdet: 9/10 °C; në vendet e ulëta: 8/9 °C dhe në vendet malore: -2/0 °C.
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.
