Policia, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se qarkullimi në rrugën e Arbit do të jetë i bllokuar përkohësisht derisa rruga të pastrohet nga dëbora.
“Nisur nga situata metereologjike ku qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura të dëborës, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, për shkak të reshjeve, ky aks rrugor do të jetë i bllokuar përkohësisht deri në pastrimin total nga firma kontraktore”, thuhet në njoftim.
Policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të ndjekin aksin rrugorë Klos-Burrel-Ulëz, dhe të mos shkaktojnë trafik.
“Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojnë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë deri sa rruga të pastrohet plotësisht nga kontraktorët.
Akset rrugore Bulqizë-Peshkopi; Bulqizë-Klos janë të kalueshme por drejtuesit të mos qarkullojnë pa goma dimërore.
Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme”, përfundon njoftimi./albeu.com