Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë shkaktuar bllokime në disa segmente rrugore në Qarkun Shkodër, ku dhjetëra qytetarë, përfshirë fëmijë, kanë mbetur të izoluar.
Rreth 200 automjete në drejtim të Koplikut janë bllokuar në rrugë, ndërsa Policia Rrugore dhe mjetet borëpastruese kanë ndërhyrë në terren për menaxhimin e situatës.
Gjatë orëve të fundit në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë, të cilët raportojnë se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Sipas prefekti i Qarkut Shkodër, bllokimet janë evidentuar në disa akse, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut.
Në këtë segment rrugor vijojnë reshje breshëri të alternuara me dëborë, ndërsa temperaturat e ulëta kanë favorizuar formimin e ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.
Sipas raportimeve, mbi 200 automjete kanë tentuar të lëvizin në drejtim të Koplikut, duke krijuar trafik të rënduar dhe vonesa të konsiderueshme.
Situata është menaxhuar falë ndërhyrjes në terren të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe mjeteve borëpastruese.
Autoritetet bëjnë me dije se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë, është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht, ndërsa aksi Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet ende probleme për shkak të ngricave të shumta, duke detyruar disa automjete të kthehen në fshatin Tamarë.
Në këtë kuadër, Policia dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.
Në raste emergjente, qytetarët ftohen të kontaktojnë menjëherë Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencës.
