Reshje të dendura shiu dhe dëborë, rrëshqitje dherash, përmbytje dhe rrezik për daljen e lumenjve nga shtrati/ Ja çfarë pritet të ndodhë me motin nesër, qarqet më të rrezikuara

Në një postim në rrjetet sociale, Instituti i Gjeoshkencave, ka bërë një parashikim në lidhje me motin dhe rrezikun për reshje dhe përmbytje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Instituti parashikon se sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07), priten reshje intensive kryesisht në Veri dhe Jug të vendit.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës, do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

MOTI:

Sot pasdite (e marte, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë priten reshje intensive.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

TEMPERATURA:

Nesër (e mërkurë, dt. 07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 9/16 °C

në vendet e ulëta: 9/16 °C

në vendet malore: 3 / 12 °C

ERA
Sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet.

 


Shtuar 6.01.2026 13:36