Rënie gurësh në aksin Kukës-Bushtricë, vështirësohet lëvizja e automjeteve

Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë  nga reshje shiu me intensitet mesatar,  të shoqëruara herë pas here edhe me erë, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore.

Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, kur janë ndërprerë gradualisht.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse rrugore të qarkut janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer.

Problematika më e theksuar është evidentuar në segmentin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës së sotme janë regjistruar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.

Aktualisht, ky aks kombëtar që lidh Kukësin me Peshkopinë është i qarkullueshëm normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.

Sipas raportimeve nga strukturat vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has, nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë tjetër publike dhe nuk ka pasur situata emergjente që të kërkojnë ndërhyrje shtesë.

Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë territorin e qarkut, pa ndërprerje. Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin informacionet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos në akset malore.


Shtuar 5.02.2026 11:38