Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale dhe RENEA-n kanë arrestuar në Orikuam Florian Plaku alias Florian Serjani alias Florian Mamo 42 vjeç nga Vlora.
Plaku ishte shpallur në kërkim prej një viti, si një nga ekzekutorët e ish-policit Gentjan Bejtja. Bejtja u vra në oborrin e shtëpisë më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Krujës.
Për këtë ngjarje, më herët është arrestuar edhe Ilir Beqaraj, kunati i Roan Brahimit, i dyshuar për përfshirje në organizimin e atentatit.
Florian Plaku është pjesë e grupeve të Vlorës dhe njihet si “Pole Qorri”. Një vit më parë, më 26 korrik ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burimet për media mësojnë se arrestimi i tij vjen pas dy muajsh hetimesh intensive, që çuan në identifikimin dhe lokalizimin e Plakut.