RENEA dhe FNSH bastis Rrajat pas rrahjes me shkopa bejsbolli, 4 të arrestuar, 3 në kërkim

Katër persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim pas sherrit të rëndë të ndodhur në Borizanë të Krujës.

Kanë qenë anëtarët e fisit Rraja ata që kanë shkuar në një lokal në zonë dhe kanë sulmuar me shkopa bejzbolli dy anëtarët e fisit Maja, të cilët në ato momente po pinin kafe.

Të plagosur mbetën Jashar Maja dhe Bilbil Maja të cilët janë dërguar drejt spitalit.

Ndërsa Bilbil Maja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të goditjeve që ka marrë në kokë dhe në trup.


Njoftimi i policisë

Krujë- Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar.

Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xhelal Rraja (vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraj), I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:

– Ineidi Rraja, 23 vjeç, Eni Kullaj, 27 vjeç, Kujtim Përdaku, 57 vjeç, Andi Rraja, 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xhelala Rraja, 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.

Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/Albeu.com./


Shtuar 7.07.2023 13:01