Nga Ekrem Spahiu*
Sikurse edhe pritej, çështja e stabilitetit politik dhe sigurisë së Afganistanit është evidentuar sot në krye të axhendës ndërkombëtare. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se një numër i konsiderueshëm qytetarësh afganë që bashkëpunuan me forcat e NATO-s dhe SHBA-së përgjatë procesit të paqebërjes, po përballen me hakmarrjen e mundshme nga talebanët, të cilët po rimarrin kontrollin politik e ushtarak të këtij vendi të shkatërruar nga lufta.
Duke ndjekur këto zhvillime, sjell në kujtesë se çfarë vuajtën antikomunistët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë nga mungesa e vëmendjes së aleatëve ndërkombëtarë, qoftë edhe nga “talebanizmi” shqiptar.
Prandaj është krejt normale që kërkohen veprime të shpejta e të bashkërenduara nga shumë aktorë, me qëllim që ky kontigjent qytetarësh të rrezikuar nga përndjekja, të shpëtohen.
Mësuam fillmisht nga burime jozyrtare se Qeveria Shqiptare ishte angazhuar në një operacion humanitar për të strehuar në Shqipëri një kontigjent prej rreth 300-350 refugjatësh politikë afganë, dhe brenda pak ditësh, mund të priten edhe rreth 800 të tjerë.
Pastaj, nëpërmjet një statusi në facebbok të Kryeministrit të vendit, mësuam se administrata e Presidentit Joe Biden iu kishte kërkuar anëtarëve të NATO-s të vlerësonin nëse mund të shërbenin si vend tranzit për një numër refugjatësh politikë afganë, destinacioni përfundimtar i të cilëve është SHBA. Mësuam madje, se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nëpërmjet Kryemistrit të vendit, ka ndërmarrë inisiativën dhe është shprehur e gatëshme për ta dhënë këtë mbështetje, duke paraqitur argumente politike, morale dhe humanitare.
Për më shumë, mësojmë se grupi i parë i afganëve do të vendoset fillimisht në konvikte studentore në Tiranë dhe, në varësi të zhvillimeve, burime zyrtare thonë se afganët do të zhvendosen në hotele në qytetin bregdetar të Durrësit.
Unë e mirëkuptoj vendimin që vendi im të vijojë të jetë pjesë e fatit të atyre afganëve, siguria e të cilëve nuk u arrit dot në atdheun e tyre, edhe pse vendet anëtare e partnere të NATO-s, midis tyre dhe Shqipëria, punuan për rreth 20 vjet për këtë qëllim.
Është e qartë se jeta e këtyre kontigjenteve është në rrezik nga talebanët.
Por ajo që më shqetëson, është se përse këtë zhvillim me rrjedhime për sigurinë kombëtare, e mësoj nga burime të tjera dhe jo nga autoritetet e shtetit tim. Nuk është një zhvillim i vogël. Janë së paku tre shtete në lojë: talebanët e Afganistanit që do t’i përndjekë afganët e vlerësuar si të rrezikuar; qeveria e SHBA që do t’i evakuojë, transferojë, stacionojë dhe më në fund edhe do t’i presë në vendin e vet; qeveria e vendit tim e cila, për një kohë të pacaktuar, do ta mbajë në tokën e saj këtë kamp refugjatësh me jo pak pikëpyetje sigurie kombëtare.
Nuk kam dëgjuar që për këtë çështje të jetë prononcuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare të vendit. Sepse instalimi në Shqipëri i një kampi të tillë përfshin drejtëpërdrejt plot 14 institucione shtetërore, të cilat kanë rol e përgjegjësi për sigurinë kombëtare sipas fushave përkatëse.
Rreziku qëndron në atë që, kur për çështje të tilla nuk ka informim e transparencë shtetërore, atëherë opinioni publik do të formësohet, në rastin më optimist, nga aktorë sporadikë, dhe në rastin më pesimist, nga aktorë që induktojnë terrorizëm mendor e psikologjik.
Ky opinion shqetësohet me të drejtë se përse disa nga anëtarët e NATO-s nuk u shprehën të gatshëm për të marrë pjesën e tyre të përgjëgjësisë. Përkundrazi, mësojmë se janë Kazakstani, Taxhikistani, Uzbekistani e Katari, vende jo antarë të NATO-s, të cilëve iu kërkohet të bëhen partnerë në këtë ndërmarrje sigurie.
Thuhet se refugjatët politikë afganë do t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë vetëm pas mbërritjes në Shqipëri. E kuptoj emergjëncën, sepse ndoshta koha nuk priste, por dyshoj nëse janë formuar kapacitetet për ta realizuar një procedurë të tillë, kur kemi vite që mezi po skanojmë korrupsionin tonë në sistemin e drejtësisë e në fusha të tjera të jetës së vendit. Për më tepër, dyshoj sepse di që edhe BE, ndër kushtet e paplotësuara, na ka tërhequr gjithnjë vëmendjen pikërisht për kapacitetet e kufizuara logjistike dhe administrative të pritjes.
Vetë refugjatët, për më tepër ata politikë, sigurisht që do të përballen me sfida sigurie, por edhe shtetet që i presin do të përballen me sfida të gjithfarëllojshme: sfida logjistike, sfida ekonomike, sfida shëndetësore, sfida informacioni e deri edhe sfida raportesh me popullsinë lokale. Është e pritëshme që refugjatët politikë që do të strehohen në vendin tonë, ashtu si edhe ata që mësojmë se do të strehohen në Kosovë e shtete të tjera do të jenë subjekt sigurie, por në të njëjtën masë mund të bëhen edhe objekt pasigurie, sepse talebanizmi nuk njeh kufij, as njerëzorë e as shtetërorë.
*ish – Zv/Ministër i Mbrojtjes