Reforma Territoriale duhet t’i rezistojë kohës/ Boçi në Komision: Të bëhen dëgjesa edhe me qytetarët, të menaxhohen nga një sekretariat i pavarur, Bashkitë kontrollohen nga maxhoranca

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, u diskutua për kalendarin e punës. Bashkëkryetari Luçiano Boçi adresoi akuzat se opozita po tenton ta sabotojë, duke thënë se nuk duhet të ecin me “vrap”, por të punojnë për një reformë që i reziston kohës.

Boçi theksoi se Komisioni duhet të “prodhojë” një produkt që impakton pushtetin lokal për 30-40 vite dhe jo t’i rikthehen sikurse me atë të vitit 2015. Ai u shpreh se krahas dëgjesave me bashkitë, janë të nevojshme edhe dëgjesat me qytetarët. Këtu ai përmendi banorët e Mirditës, të cilët kanë bërë thirrje për t’u përfshirë në këtë proces.

Organizimi, theksoi ai, nuk duhet të bëhen nga bashkitë pasi pjesa më e madhe janë të kontrolluara nga maxhoranca por të ngrihet një sekretariat i pavarur për menaxhimin e tyre.

“Një propozim tjetër në lidhje me mënyrën e organizimit të dëgjesave. Nuk mund të jenë bashkitë vetë që t’i organizojnë se shumica e tyre janë në konflikt interesi, por të organizojmë një sekretariat teknik. Nëse i lëmë në dorë bashkive, kjo nuk do të na çojë te konkludimet reale se në shumicën e tyre dominohen nga maxhoranca.“, u shpreh Boçi.

Nga ana tjetër edhe deputeti Eno Bozdo kërkoi përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë në këtë proces.

Luçiano Boçi: Meqenëse ka debat për çështjen e kohës, se ka një grup që ne duam të sabotojmë çështjen e reformës, shtrirjen e saj në kohë, ne kërkojmë kohë më shumë ndërkohë që koha qenka e përcaktuar dhe me një vendim parlamenti. Dëgjova edhe këtë tjetrën që të ecim se nëse kërkohen ndryshime i bëjmë gjatë rrugës. Nuk funksionon. Nuk ka një tendencë nga ana jonë për të sabotuar në kohë por produkti që duhet të dalë nga ky Komision i ngjasojë produktit të një reforme që impakton pushtetin lokal për 30-40 vitet e ardhshme dhe jo t’i rikthehemi pas 10 viteve siç ndodhi me reformën e 2015.

Ne kemi angazhimin që të punojmë pa u vendosur në këtë këmishë force dhe duke bërë që reforma të jetë konsulencë e gjerë me faktorët dhe aktorët. Në projekt kalendar është parashikuar që të bëhen dëgjesa, kryesisht konsiderohen publike, me kryetarët e bashkive. Publik për nga forma por ajo që po kërkojmë ne, ne na duhen edhe seanca dëgjimore me popullsi të atyre territoreve që shprehin kërkesën për të krijuar një hartë e re territoriale. Nuk mjafton vetëm sondazhi.

Propozimi ynë që të shtojmë në projekt kalendar këto dëgjesa. Një propozim tjetër në lidhje me mënyrën e organizimit të dëgjesave. Nuk mund të jenë bashkitë vetë që t’i organizojnë se shumica e tyre janë në konflikt interesi, por të organizojmë një sekretariat teknik. Nëse i lëmë në dorë bashkive, kjo nuk do të na çojë te konkludimet reale se në shumicën e tyre dominohen nga maxhoranca.


Shtuar 16.02.2026 15:02