Redon Makashi falenderon për mesazhet pas humbjes së të atit: Secili prej jush na e lehtësoi sadopak dhimbjen

Këngëtari i njohur Redon Makashi, ka reaguar sërish pas ndarjes nga jeta të të atit, Fitim Makashi, aktorit të mirënjohur që u shua në moshën 82-vjeçare.

Artisti ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe mesazhet ngushëlluese të marra në këto ditë të vështira.

Ai thekson se fjalët e mira ua kanë lehtësuar sadopak dhimbjen familjes, duke i bërë të kuptojnë edhe një herë impaktin e madh dhe gjurmën e pashlyeshme që Fitim Makashi ka lënë te publiku përmes roleve, artit të fjalës dhe humanizmit që e karakterizonte.

“Miq, gjatë këtyre ditëve tejet të vështira për ne dhe aspak të lehta për t’i gjetur fjalët duam t’ju falenderojmë për të gjitha komentet pozitive për tim atë, Fitim Makashi! Secili prej jush na e lehtësoi sadopak dhimbjen e na bënë të kuptojmë sesa impakt e mbresa ka lënë ai tek ju përmes roleve, artit të fjalës e humanizmit që e karakterizonte!”, ka shkruar Redoni.

 

 

Kujtojmë që aktori Fitim Makashi, ndërroi jetë më 31 janar. Largimi i tij nga jeta shënon një humbje të madhe pasi ishte një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinemasë, dhe ka lënë pas një trashëgimi të vyer artistike.


Shtuar 8.02.2026 14:07