Nga Christine Kensche “Worldcrunch”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ai ka vrarë civilë me gaz helmues dhe bomba-fuçi, ka bombarduar qytete duke i katandisur në rrënoja, ka burgosur dhe torturuar bashkatdhetarët e tij, dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Diktatori sirian Bashar Al-Assad ishte ndër politikanët më të urryer dhe më të izoluar në botë.
Por tani ai po rikthehet në skenën botërore. Liga Arabe e përbërë nga 22 vende votoi me shumicë të dielën ri-pranimin e Sirisë në grupin e saj. Ndaj tani Assad mund të marrë sërish pjesë në samitet rajonale, 12 vjet pas fillimit të luftës civile në Siri. Samiti i radhës është planifikuar për 19 maj në kryeqytetin saudit, Riad.
Liga e përjashtoi kur ai shtypi me gjak demonstratat paqësore kundër regjimit të tij të korruptuar. Ashtu si Perëndimi, shumica e vendeve anëtare të Ligës kërkuan dorëheqjen e Assad dhe mbështetën grupet që luftonin forcat e tij. Megjithatë, kohët e fundit, disa shtete arabe kanë kërkuar të rilidhen me të. Pse po e rehabilitojnë vrasësin masiv?
Lideri i ri në rajon
Prapa kësaj lëvizjeje, ekziston një realpolitikë e re dhe e pavarur në botën arabe, e udhëhequr nga fuqia rajonale Arabia Saudite. Rilidhja e marrëdhënieve diplomatike me Assadin vjen nga një kuptim i përbashkët se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur më diktatorin sirian.
Irani dhe Rusia e kanë ndihmuar atë të rivendosë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit dhe të konsolidojë fuqinë e tij. Nisma të ndryshme paqeje kanë dështuar, opozita është e përçarë dhe të gjitha forcat kundërshtare janë dobësuar shumë. Fqinjët arabë e pranojnë se Assad ka fituar, dhe po punojnë sërish me të për të zbutur efektet e luftës civile siriane në vendet e tyre.
Jordania dhe Libani kanë pranuar pjesën më të madhe të sirianëve që kanë ikur nga shtëpitë tyre, shumë më tepër se Evropa. Vetë këto 2 vende po vuajnë nga kriza ekonomike, dhe duan që t’i riatdhesojnë sa më parë refugjatët sirianë. Po ashtu duan që të frenojnë trafikun e shfrenuar të drogës Captagon nga Siria në rajon.
Dhe mendojnë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse bashkëpunojnë me regjimin sirian.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin të parat që nisën riafrimin me Damaskun. Por eksperti i Lindjes së Mesme Andreas Krieg i Kolegjin Mbretëror në Londër, e sheh Arabinë Saudite si nxitësin kryesor të e pranimit të Sirisë në Ligën Arabe. “Tani sauditët po përpiqen të trajtojnë vetë shumë konflikte, duke i sinjalizuar fuqive të tjera të mëdha, para së gjithash SHBA-së, por edhe Kinës, se janë ata guvernatorët e rajonit”- thotë Krieg.
Perëndimi po e humbet ndikimin
Për Perëndimin, rehabilitimi i Assad është një humbje. Ky zhvillim tregon se strategjia e saj për Sirinë ka dështuar. Sigurisht, SHBA dhe në një masë më të vogël BE, vendosën sanksione ndaj Sirisë së Assad dhe mbështetën forcat e opozitës. Por ata nuk ishin të përgatitur të ofronin mbështetje ushtarake të mjaftueshme, gjë që mund të kishte sjellë rrëzimin e Assad.
E paharrueshme është deklarata e Obamës për “vijën e tij të kuqe” në Siri, të cilën presidenti i atëhershëm amerikan lejoi të shkelej pa pasoja, kur Assad përdori gazin helmues për të vrarë rreth 1000 njerëz në rajonin Ghouta. Ndërkohë, Rusia, Irani dhe Turqia, mbështetën pa mëshirë interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike në Siri.
Tani Perëndimit po i tregohet edhe një herë sesi e humbi rëndësinë në këtë rajon. Për vite
me radhë, Rusia dhe Kina kanë mbushur boshllëkun e krijuar nga tërheqja e SHBA-së. Padyshim, ky lajm përbën një shuplakë për Uashingtonin. Kohët e fundit, rivalët kryesorë Irani dhe Arabia Saudite rilidhën marrëdhëniet midis tyre.
Kjo u njoftua solemnisht në Pekin. Një sukses i madh diplomatik për Kinën, e cila paraqitet si një ndërmjetës alternative ndaj Shteteve të Bashkuara. Madje kinezët u ofruan të ndihmojnë ndërmjetësimin në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve.
E mori çështjen në duart e veta
Lindja e Mesme ka krijuar prej disa kohësh aleanca më vete, duke përdorur në mënyrë alternative ndihmën kineze, ruse ose amerikane aty ku i përshtatet. Fakti që Arabia Saudite
po diversifikon marrëdhëniet e saj, vjen gjithashtu për shkak të një qasje realpolitike: mbështetja vetëm tek Perëndimi nuk jep rezultat.
Dhe se nuk mund të mbështeten tek Shtetet e Bashkuara si një “fuqi mbrojtëse”. Ngjarja kryesore për sauditët, ishte sulmi i Iranit ndaj rafinerive të saj të naftës në Abkaik me drone dhe raketa në vitin 2019, të cilat e paralizuan gjysmën e prodhimit të saj të naftës.
Përgjigja e fortë e Uashingtonit, për të cilën Riadi kishte shpresuar, nuk erdhi kurrë. Në kushtet kur as strategjia e Donald Trump për një “presion maksimal” ndaj Teheranit, dhe as negociatat e Vjenës për të frenuar programin bërthamor të Iranit, nuk sollën përfitime të prekshme të sigurisë në rajon, Riadi ka marrë fatin në duart e veta, duke u afruar me Teheranin.
Konsiderata të ngjashme, ka të ngjarë të kenë çuar edhe me afrimin me Sirinë e Assad. Nisma dhe sanksionet perëndimore, kanë pasur shumë pak efekt në luftën e Assad kundër popullit të tij, gjë që ka pasur pasoja që janë ndjerë kryesisht brenda rajonit arab. Ndaj tani Liga Arabe dëshiron të udhëheqë politikën e saj për Sirinë.
Në mediat arabe, po përhapen tashmë mendimet e dëshiruara, sipas të cilave Assad mund t’i ofrohen kushte për ri-pranimin e tij, siç është një proces reformash politike, dhe mund të kufizohet ndikimi i Iranit në Siri. Por për momentin, asnjëra nuk duket shumë realiste.
Por Perëndimi nuk ka ide më të mira. Ai do të vazhdojë t’i përmbahet sanksioneve, thotë Ministria e Jashtme gjermane. “Unë nuk shoh ndonjë iniciativë në Uashington apo Bruksel që mund të rivalizojë atë të Ligës Arabe. Sjellja e tyre është shumë pasive dhe reaksionare. Të vetmit që janë vërtet pro-aktivë janë aktorët në rajon”- thotë eksperti i Lindjes së Mesme Krieg.