Reagon PL: Nuk ka ardhur askush nga BKH te ne

Partia e Lirisë ka reaguar pas lajmit se në zyrën e kreut të PL-së kishin shkuar për kontroll agjentë të BKH-së.

Në një reagim zyrtar, Partia e Lirisë mohon lajmin.

Njoftimi

Partia e Lirisë sqaron se në ambientet e Partisë së Lirisë, nuk ka ardhur asnjë oficer i BKH për të bërë kontroll në zyrën e kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta dhe në seli. Partia e Lirisë nuk ka asnjë njoftim apo dijeni për një kontroll të tillë të BKH-së.

Më herët u raportua se me urdhër të SPAK, agjentët e BKH-së zbarkuan në zyrën e Metës për të kryer kontrolle, lidhur me hetimet e çështjes CEZ-DIA. Më 8 nëntor 2023, Meta u thirr në SPAK për të dhënë deklarime lidhur me këtë çështje.

Ai deklaroi se nuk ka firmosur asgjë në interes të askujt.

Çështja ÇEZ-DIA

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara.

Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat në familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.

Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ.

Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij./albeu.com


Shtuar 21.11.2023 13:01