Reagon kopshti “Stinët” pas akuzave për dhunimin e 3-vjeçares nga edukatorja, publikon videon

Kopshti “Stinët” në Tiranë ka reaguar pas denoncimit se edukatorja Majlinda Dehima, ka dhunuar një vajzë 3-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në spital me këmbë të thyer.

Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja janë ende të paqarta.

Sakaq, policia ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë dhe ka shoqëruar në polici edukatoren.

Në reagimin e kopshtit thuhet se është hedhur baltë mbi punën dhe përkushtimin e tyre.

Në videon e publikuar në Instagram, kopshti pretendon se edukatorja ka ruajtur qetësinë dhe ka gjuajtur me vizore në karrige e tavolinë dhe nuk ka ushtruar dhunë te e mitura.

Megjithatë nuk dihet nëse kjo është video ku familja pretendon se 3-vjeçarja qëllohet me vizore dhe dhunohet.

DENONCIMI

Rasti është denoncuar nga prindërit, të cilët kërkojnë të dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me fëmijën e tyre, të cilën e gjetën me këmbë të thyer, të mërkurën e 1 Nëntorit.

Në rrëfimin e tyre për ‘Stop’, ata tregojnë se fillimisht u lajmëruan nga kopështi se vajza e tyre kishte lënduar këmbën dhe se diçka mund ta kishte pickuar.

Në fakt ky lëndim, sipas mjekëve nuk mund të ishte një pickim, por veçse një thyerje e shkallës së rëndë, e cila kishte nevojë për ndërhyrje.

Nuk dihen rrethanat në të cilat 3-vjeçarja mund të ketë thyer këmbën, por në pamjet filmike të marra nga mjediset e kopshtit, shihet qartë ndërsa dhunohet nga edukatorja e saj.

Përtej situatës së krijuar, dyshimet nga ekspertë të fushës hidhen se rasti në fjalë mund të jetë tentuar të mbulohet nga mjekësia ligjore, dhe nga Komisariati i Policisë Gjyqësore, të cilat nuk kanë vepruar siç e parashikon ligji për rastin në fjalë.

/albeu.com


Shtuar 7.11.2023 14:40