RCC dhe PNUD për një Ballkan më të gjelbër

Nju Jork- Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (PNUD), firmosën ditën e djeshme një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, që synon forcimin e reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.

Dokumenti u nënshkrua nga Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, dhe Ivana Zhivkoviç, ndihmëssekretare e përgjithshme e OKB-së dhe drejtoreshë e Zyrës Rajonale të PNUD për Evropën dhe CIS.

 

 

Ky partneritet i ri, do të mbështesë zbatimin e kornizave rajonale si Strategjia dhe Programi i Punës i RCC-së 2026-2028, Strategjia SEE2030, Plani i Veprimit për Tregun Rajonal të Përbashkët, si dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Synimi është rritja e ndikimit, shmangia e mbivendosjeve dhe krijimi i një rajoni më të integruar.

“Kjo marrëveshje na ndihmon të ecim më shpejt për atë që ka rëndësi për njerëzit – shërbime më të mira, rritje më të gjelbër, institucione më të forta dhe një rajon më të qëndrueshëm – duke përafruar platformat rajonale të RCC-së me ekspertizën dhe shtrirjen e PNUD-it”, u shpreh Kapetanoviç.

Sipas marrëveshjes, RCC dhe PNUD, do të zhvillojnë koordinime të rregullta, shqyrtime vjetore të progresit dhe mekanizma të përbashkët pune për zbatimin.

Nënshkrimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së në SHBA gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe vjen menjëherë pas takimit ministror të Nismës Adriatiko-Joniane, duke i paraprirë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).


Shtuar 24.09.2025 14:31