Sprova jetësore me të cilën u përball aktori i njohur Genc Fuga dhe pamundësia e familjes së tij për të përballuar financiarisht trajtimin jetik mjekësor ka shkaktuar me të drejtë një irritim të madh publik. Shqiptarët ndihen të tradhëtuar nga sistemi shëndetësor kombëtar, i cili financohet përmes taksave dhe kontributeve të tyre, por i braktis në kthetrat e vdekjes kur ata kanë nevojë për të.
Presioni publik për këtë çështje nuk mund të jetë vetëm se pozitiv. Por një pjesë e aktorëve dhe mediave duket se po e shfrytëzojnë debatin jo për të zgjidhur realisht problemin, por për të avancuar axhendat e tyre personale, pas të cilave qëndrojnë ndoshta edhe qëllime malinje.
Marrëzia ndonjëherë arrin deri në pikën sa që shqetësimi kryesor nuk është se pse spitalet publike nuk ofrojnë dot shërbime jetike, por pse këto shërbime ofrohen nga privatët. Ky është perversitet.
Të shpëtosh jetë njerëzish nuk është krim. Nëse këto shërbime nuk do të ofroheshin në strukturat spitalore private, të gjithë ata pacientë që janë përballur me isheminë cerebrale sot nuk do të ishin më. Ndaj fakti, që trajtimi i kësaj sëmundje të rrezikshme ofrohet në spitalet private nuk është gjemë, por një e mirë publike.
Fakti që spitalet private kërkojnë para për të ofruar shërbime mjekësore nuk është krim dhe as i bën ato imorale. Të njëjtën gjë bën hoteli, kur një qytetar shkon të flejë apo restoranti kur dikush shkon të hajë drekë.
Pra, ajo deviza e famshme “paguaj ose vdis”, me të cilën sulmohen spitalet private mund të përdoret fare mire edhe për furrat që prodhojnë bukën, kompanitë që tregtojnë ujin e kështu me radhë për të gjitha bizneset që ofrojnë produkte ose shërbime jetike. Por ne nuk i sulmojmë furrat e bukës apo kompanitë që shesin ujë.
Megjithatë në rastin e sistemit shëndetësor ka një problem madhor. Dhe ajo është skema e financimit. Shqipëria ka ndërtuar një model financimi të sistemit shëndetësor, i cili nuk financon pacientin apo mjekun, por tenderat dhe korrupsionin.
Një vend, i cili ka zgjedhur të ketë një sistem shëndetësor me dy kollona duhet të financojë pacientin. Paratë që fondi i sigurimeve shëndetësore u merr qytetarëve përmes kontributeve duhet t’u kthehen po atyre. Dhe është qytetari ai që vendos se ku do ta marrë shërbimin, në spitalet publike apo ato private.
Nëse sistemi shëndetësor do të hyjë në treg, fondi i sgurimeve duhet të jetë neutral përballë aktorëve të tregut. Ai financon pacientin sipas paketave standard të kostuara dhe jo ofruesin e shërbimit. Kështu spitalet do të konkurrojnë me njëri tjetrën për të dhënë shërbimin me cilësinë më të mirë dhe çmimin më të ulët.
Ky është modeli që përdor pjesa dërrmuese e vendeve perëndimore sot dhe për një treg të lirë kjo është rruga më e mirë. Sigurisht ka dhe një rrugë tjetër. Është ajo e një sistemi kombëtar shëndetësor me vetëm një kollonë, pra vetëm me spitale publike. Në fund është çështje zgjedhjeje. Por jeta është shumë e shtrenjtë për ta lënë vetëm në dorën e tenderave të Ogertës dhe shëndetësisë “falas” së Rilindjes./oligarkia