Raportimi i Fondit Shëndetësor zbulon krime të tjera ç’njerëzore me ilaçet dhe vjedhjet me Check-up

Raportimi i drejtuesve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Komisionin e Shëndetësisë më 1 korrik 2024, ka zbuluar krime të tjera, që qeveria vazhdon të bëjë me Check-up  dhe ilaçet, kundër pacienteve me kancer e të sëmurëve kronikë që rimbursohen.

Me urdhër të ish-ministrit Ilir Beqja, në janar 2016, ata mjekë familjeje që nuk plotësojnë numrin e analizave të “Check-up”, të alternuara mes moshave 35-70 vjeç, gjobiten me 1 pagë mujore.

Ndërsa ish-ministrja Ogerta Manastirliu në muajin dhjetor 2017, përveç gjobës shtoi dhe një masë tjetër ndëshkuese, që është akoma në fuqi me këtë përmbajtje: shkarkohen mjekët e familjeve, që nuk plotësojnë numrin e analizave “Check-up” për 3 muaj radhazi.

Hetimi i SPAK për “Check-up” e vërtetoi këtë skandal, por dhe shefat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, pranuan, se për shkak të këtij presioni banditesk gjobash e largimi nga puna, mjekët e familjeve janë detyruar të deklarojnë numër fiktiv analizash me lista emërore false.

Me këtë mashtrim, Vilma Nushi ka përfituar nga 4-6 milionë Euro në vit, ose afro 55 milionë Euro për punë të pa kryer gjatë viteve 2015-2023, të cilat Fondi i Kujdesit Shëndetësor i ka paguar, megjithëse e ka ditur që 40% e numrit të analizave nuk janë kryer realisht, madje ka marrë dhe nga 1-2 milionë Euro TVSH çdo vit, kur kjo PPP nuk duhet të marrë rimbursim.

Krimi tjetër me pacientët, i zbuluar në Fondin e Kujdesit Shëndetësor, bëhet me sasinë dhe cilësinë e ilaçeve kryesore e të sëmundjeve të rënda, që marrin qendrat spitalore e spitalet rajonale; me sasinë e llojet e ilaçeve që rimbursohen dhe numrin e të sëmurëve të rimbursuar.

Krimi është ky: Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, për çdo 1 mijë pacientë me sëmundje të rënda, ilaçet sigurohen vetëm për 100 pacientë; ndërsa në çdo 1 mijë pacientë me sëmundje kronike, në listën e rimbursimit futen 300 të sëmurë, sepse për kaq ka akorduar fond qeveria.

Shefat e Fondit të Kujdesit Shëndetësor, pranuan se numrin e pacientëve dhe llojet e ilaçeve që do jepen me ribursim, i caktojnë mjekët e familjeve; por ata janë urdhëruar, që në receta t’u shënojnë vetëm 30-40% të sasisë së ilaçeve e vetëm ato ilaçe me çmime të lira.

Mjekët janë urdhëruar, të mos shtojnë asnjë të sëmurë kronikë në lista rimbursimi, pa hequr aq sa të sëmurë do shtojnë; por dhe të mos japin për rimbursim, asnjë ilaç të sëmundjeve të rënda.

Sepse për kaq sasi e lloje ilaçesh akordon fonde qeveria, ndërsa kur nuk ka ilaçe, janë urdhëruar të vonojnë me 10 ditë deri në 2 javë, dërgimin e recetave elektronike nëpër farmaci, duke mashtruar pacientët me refrenin: “Nuk punon sistemi i Fondit të Kujdesit e Sigurimit Shëndetësor”!

Krimi tjetër që bëhet ndaj të sëmurëve me kancer dhe ndaj të sëmurëve të tjerë spitalor, është mungesa e ilaçeve të shtrenjta në QSUT, Spitalin e Fëmijëve, Onkologjik, Spitalin e Traumës,  Spitalin “Shefqet Ndroqi”, 2 qendrat spitalore Obstreti-Gjinekologji dhe në 12 spitalet rajonale, ku qeveria financon vetëm 35-40%  të sasisë së tyre, pa llogaritur vjedhjet me tenderët.

Vlera financiare për të furnizuar spitalet me krejt nevojat për ilaçe, duhet të jetë mesatarisht 155 milionë Euro në vit, ndërsa qeveria akordon vetëm 67 milionë Euro në vit, duke detyruar mjekët, të bëjnë pazare me ryshfete dhe pacientët t’i blejnë ilaçet te farmacitë private./Pamfleti


Shtuar 4.07.2024 16:19