Prokurori publik në Maqedoninë e Veriut, Lubomir Joveski, është shprehur se vendi ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit.
Kjo erdhi pas indeksit të fundit të perceptimit të korrupsionit të Transparent International, ku Maqedonia u ngjit më 24 vende në renditje.
Ai shtoi se shteti duhet të ndërmarrë edhe veprimtari të tjerë për ta çuar më tej këtë luftë.
“Të dhënat për kërcimin prej 24 vendesh sa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nuk janë të papërfillshme. Më lejoni të shtoj vetëm se raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së vë në dukje luftën në rritje kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ky është edhe konkluzioni i raportit të Bashkimit Evropian. Nëse i marrim parasysh këto të dhëna, këto vlerësime në këto raporte, do të shihet se ka progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se në këto raporte janë vërejtur edhe disa veprime apo aktivitete që duhet t’i ndërmarrë shteti e sidomos kur flasim për kompetencën e Prokurorisë Publike”, thotë Joveski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai tha se disa herë ka theksuar se për dallim të periudhës së kaluar tani në Prokurorinë Publike ka lëndë të hapura për funksionarë të pushtetit aktual.
“Këtu do të përmendja se Prokuroria ka hapur lëndë për një funksionar të lartë në Qeveri, ka për sekretar shtetëror në një prej ministrive, pastaj ka për prokurorë, gjykatës dhe sipas kësaj vlerësim i imi është se Prokuroria nuk vepron në mënyrë selektive, por qëndron në kornizat e ligjit dhe drejtësisë joselektive. Nga ana tjetër gjithashtu dua të theksoj se Prokuroria ka hapur shumë lëndë sipas detyrës zyrtare, ose siç thotë publiku me të dëgjuar”, thotë prokurori publik, Joveski./albeu.com/