Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në platformën “X” në lidhje me raportin final të OSBE/ODIHR në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Ilirjan Celibashi shprehet se do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.
Kreu i KQZ i bën thirrje partive politike që të mos bëjnë gjykatësin e zgjedhjeve por të angazhohen për të përfunduar një reformë zgjedhore domethënëse brenda një viti ndërsa thekson vlerëson institucionin që drejton në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve, të cilat thotë se janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.
Reagimi i plotë i Celibashit
Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.
Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet “gjykatësit të zgjedhjeve” nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti.
Sa i përket KQZ: Vlerësimet pozitive – thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve – janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.