Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka reaguar në lidhje me raportin e Freedom Houese për Shqiëprinë.
Në deklaratën nga selia blu, Garo theksoi se në këtë raport Shqipëria cilësohet si vend pa zgjedhje të lira dhe të drejta.
Deklarata e Garos
Në raportin e fundit të Freedom House Shqipëria është një vend me mungesë transparence, qeverisje jofunksionale, dhe pa zgjedhje të lira.
Këto tri fraza përshkruajnë në fakt shkurt, prerë dhe qartë, modelin e qeverisjes së 10 viteve të fundit të narkoregjimit të Edi Ramës.
Organizata “Freedom House”, me qendër në Uashington, sapo ka publikuar raportin vjetor, ku Shqipëria vazhdon të konsiderohet “vend pjesërisht i lire”, me sistem hibrid të qeverisjes.
Mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë tiparin themelor te regjimit në Shqipëri, sipas autores së raportit për vendin tonë, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Nëse transparenca duket si një term i boshatisur nga kuptimi, ajo që bie në sy në artikulimin e Freedom House është vlerësimi i zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.
“Nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta”, thekson hartuesja e raportit të Freedom House.
Partia Demokratike e vlerëson raportin e Freedom House dhe sidomos përcjelljen në të të shqetësimit tonë për zgjedhjet e fundit, pasqyruar edhe në raportin final të OSBE-ODHIR.
Partia Demokratike ju bën thirrje organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë të vazhdojnë me trysninë ndaj qeverisë Rama, i cili shpërfill një prej rekomandimeve parësore të OSBE-ODHIR dhe të partnerëve, një reformë elektorale gjithpërfshirëse.
Partia Demokratike rithekson qëndrimin e saj se, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë një Shqipëri funksionale.
Gjithashtu me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe as funksionalitet.
Kërkesa e opozitës mbetet relevante edhe në dritën e përfundimeve të raportit të Freedom House: një qeveri teknike që siguron zgjedhje të lira dhe të pranuara nga të gjitha palët.
O sot o kurrë!