Një ndër dosjet më të bujshme të SPAK, ajo në lidhje me ish-kryeminstrin Arben Ahmetaj duket se ka “fut ujë” në shumë drejtime duke dështuar të provojë se ish-zyrtari i lartë i qeverisë shqiptare ka mbështetur zhvillimin e projektit korruptiv të inceneratorëve apo të ketë përfituar materialisht prej kësaj skeme.
Këto dhe shumë detaje të tjera pasqyrohen në një raport voluminoz të hartuar nga studioja e njohur ligjore amerikane “Nixon Peabody”, e siguruar nga AlbEu.
Studioja në fjalë ka skanuar të gjithë dosjen e SPAK në lidhje me Ahmetajn dhe rolin e pretenduar të tij në aferën e inceneratorëve dhe duke iu referuar të dhënave të paraqitura aty si fakte, ka dalë në rezultatin se akuzat ndaj ish-kryeministrit janë të pabazuara dhe se ai nuk ka patur rol nxitës te ky projekt.
Madje, siç konfirmon “Nixon Peabody”, Ahmetaj nuk ka patur asnjë rol në inceneratorin e Fierit dhe atë të Elbasanit, ndërkohë që konfirmohet sipas amerikanëve përmes shkresave, se ish-kryeministri ka bllokuar disa herë zhvillimin e inceneratorit të Tiranës, i cili në fakt rezulton të mos jetë ndërtuar ende pavarësisht se pagesat janë berë për vite me radhë.
“Analiza jonë ka identifikuar disa raste ku përqasjet dhe konkluzionet e hetuesve siç pasqyrohen në raportin e SPAK-ut, duket se nuk përputhen me praktikat dhe normat e pranuara ndërkombëtarisht.
SPAK duket se është mbështetur në një sasi të konsiderueshme provash rrethanore dhe për këtë arsye ka arritur në përfundime të pambështetura mbi bazën e këtyre provave. Si rrjedhojë, sipas mendimit tonë, SPAK nuk ka krijuar disa shtylla kyçe që janë të nevojshme për të konstatuar një rast korrupsioni apo shpërdorimi të detyrës. Në veçanti, SPAK nuk ka identifikuar (a) ndonjë akt zyrtar të veçantë që z. Ahmetaj ka marrë në shkelje të detyrave të tij zyrtare ose (b) ndonjë përfitim që z. Ahmetaj supozohet se ka marrë në këmbim të aktit zyrtar që pretendohet se ka kryer ai”, thuhet në raportin e studios ligjore amerikane, “Nixon Peabody”.
Madje, në raport “Nixon Peabody” shprehet duke iu referuar të dhënave të SPAK, se ndryshe nga rasti Ahmetaj, prokurorët kanë mundur të identifikojnë me prova një tjetër ish-zyrtar të lartë si përfitues nga skema e inceneratorëve.
“Për më tepër, hetimi i SPAK-ut ka identifikuar dhe pretenduar se persona të tjerë, përfshirë ish-kreun e Autoritetit Kontraktor përkatës, z. Koka (Lefter Koka sh.r), janë përfshirë në korrupsion në lidhje me skemën e inceneratorëve”, thekson raporton ndërsa shton se
“Kemi konstatuar se Ahmetaj në fakt ka marrë masa për të kundërshtuar skemën e inceneratorëve”.
“Si pasojë e këtyre dështimeve të hetimit të SPAK-ut, na mbetet të vemë në dyshim vërtetësinë e akuzave ndaj zotit Ahmetaj dhe motivet e përpjekjeve të prokurorëve ndaj tij. Sulmet ad hominem në lidhje me interesat e mëparshme të biznesit të z.Ahmetaj, jetën e tij personale dhe tema të tjera krejtësisht të parëndësishme në media, të cilat duket se janë nxitur nga rrjedhjet e materialeve konfidenciale të hetimit, vetëm sa shtojnë dyshimet tona”.
Studioja ligjore amerikane shton më pas edhe shkaqet që sipas saj mund të jenë çuar në rrjedhjen me qëllim te informacioneve nga dosja në media, të cilat sipas saj janë thelbësisht politike.
“Rrjedhje të tilla krijojnë supozime të padrejta dhe të pasakta për fajësinë e Ahmetajt përpara se çështja të jetë gjykuar. Kjo i jep edhe më shumë krahë dyshimit se motivimet e SPAK-ut për të vënë në shënjestër Ahmetajn janë të natyrës politike dhe jo në shërbim të drejtësisë. Bazuar në përvojën tonë të gjerë si prokurorë dhe zyrtarë federalë të Shteteve të Bashkuara që kryejnë hetime dhe ndjekje penale të korrupsionit publik, ne konstatojmë se mungon tërësisht veprimtaria hetuese e SPAK ndaj z.Ahmetaj. Për më tepër, ne i gjejmë provat e SPAK-ut tërësisht të pamjaftueshme për të akuzuar (aq më pak të dënuar) z. Ahmetaj për ndonjë shkelje, apo për të vazhduar çdo lloj hetimi apo ndjekjeje ndaj tij”, thuhet në raportin voluminoz të studios ligjore amerikane “Nixon Peabody”, që ka siguruar redaksia.
AlbEu do të vijojë me publikimin e detajeve të tjera nga raporti voluminoz i amerikanëve mbi dosjen e SPAK mbi Ahmetajn dhe të tjerët. /albeu.com