“Raport paçavure”, falet gjoba 5 milion euro ndaj importuesve të miellit, Komisioni i Konkurrencës nuk i gjobit dot: Prapaskenat e mbledhjes së sotme

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur sërish që të ndëshkojë importuesit e miellit dhe grurit pavarësisht se i kishte kapur me shkelje gjatë hetimit të mbyllur në korrik të vitit të shkuar.

Abcnews.al mëson ekskluzivisht se në mbledhjen e sotme të Komisionit të Konkurrencës nuk është vendosur masa e ndëshkimit me gjobë për kompanitë shkelëse. Ndërkohë që pritej gjobitja e pesë kompanive të kapura me shkelje, Komisioni i Konkurrencës e ka patur të pamundur që të ndërmarrë një hap të tillë.

Nisur nga situata e krijuar, Komisioni i Konkurrencës, bëjnë me dije burimet e abcnews.al ka vendosur që të rihapë tjetër hetim mbi të gjithë tregun e miellit në vend për të parë në tërësi segmentet e integrimit vertikal të kompanive, ku pritet që të zbulohet qartë se rritja e çmimit të bukës ka ardhur për shkak të veprimtarisë joligjore të kompanive.

Kjo sipas Komisionit do të vërtetojë nëse ka patur vërtetë shkjelje apo jo pasi raporti aktual është i paplotë.

Shkaku

Burime bëjnë me dije se Komisioni i Konkurrencës është gjetur para një raporti të hartuar nga administrate e Autoritetit të Konkurrencës, i cili nuk përshkruante situatën aktuale në tregun e miellit, por i referohej asaj të një viti më parë.

Në këtë raport ishte parashikuar një gjobë 5 milion euro ndaj të pesta kompanive, por Komisioni nuk ka mundur t’a miratojë atë pasi në raport janë konstatuar mungesa të theksuara që nuk lidheshin me realitetin e sotëm.

Si funksionon vendimarrja në Autoritetin e Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka si organ ekzekutiv Komisionin e Konkurrencës, i cili merr vendimet sipas të dhënave të përshkruara në raportin që vjen nga administrate e këtij autoriteti, e cila drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm.

Pasi marrin në dorë raportin, Komisionerët vendosin duke marrë në konsideratë konstatimet në raport si burimin ekskluziv nga i cili do të burojë vendimarrja e tyre. Në rastin në fjalë, raporti i dërguar nga administrata e Autoritetit të Konkurrencës ishte tepër i dobët, gjë që bëri që kompanitë shkelëse të falen sërish.

Ka qenë detyra e administratës për të hartuar një raport profesional, përmes të cilit do të ndëshkoheshin importuesit e miellit për shkeljen e ligjit, me pasoja të rënda për qytetarët.

Në një farë mënyrë, konsumatorët shqiptarë, të cilët presin që ky autoritet të mos lejojë kartelet në treg, janë tradhtuar sërish nga institucionet. /abcnews.al