Misioni i OSBE/ ODIHR në Shqipëri ka publikuar një raport të ndërmjetëm sa i përket zgjedhjeve të ardhme vendore.
Në raport evidentohen dy raste të dhunës gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa theksohet se në njërën prej tyre është rrezikuar jeta e një anëtari partie.
Sipas ODIHR, mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë ndërmjet kryetarëve të partive të mëdha, ndërsa sa i përket fushatës, vlerësohet se deri tani nuk ka qenë e bujshme, dhe përgjithësisht ka pasur një ton të moderuar.
Misioni i ODIHR evidenton shqetësimet lidhur me premtimet e kryeministrit Edi Rama në lidhje me bonuset e pensioneve dhe rritjen e pagave në kohë fushate.
PËRMBLEDHJE
Në zgjedhjet vendore të 14 majit, zgjedhësit do të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe këshilltarët npër 61 bashkitë e Shqipërisë. Mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë ndërmjet kryetarëve të partive të mëdha.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor u ndryshuan për herë të fundit në 2020, dhe dispozitat e reja ligjore, ndër të tjera, që lidhen me administrimin zgjedhor, financimin e fushatës dhe masat mbrojtëse kundër abuzimit me burimet publike, do të zbatohen për herë të parë në zgjedhjet vendore. Këto dispozita adresuan një sërë rekomandimesh të mëparshme të ODIHR-it, por mbeten ende për t’u zbatuar shumë rekomandime prioritare.
Pas ndryshimeve të vitit 2020, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) përbëhet nga tre organe të veçanta drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) dhe Nënkomisioneri, Komisioni Rregullator, dhe Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS). Përgatitjet zgjedhore po zhvillohen me një fushatë të gjerë dhe shumë të dukshme për edukimin e votuesve, duke përfshirë dhe gjuhët e pakicave kombëtare. Deri tani, administrata zgjedhore ka respektuar shumicën e afateve ligjore. Shumica e bashkëbiseduesve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) vunë re transparencë dhe hapje të shtuar në vendimmarrjen e KQZ-së. Në tre bashki, KQZ do të zhvillojë një projekt pilot të votimit elektronik.
Për këto zgjedhje janë regjistruar rreth 3,65 milion zgjedhës. Zgjedhësit mund të verifikojnë të dhënat e tyre dhe të kërkojnë korrigjime, edhe nëpërmjet internetit, gjatë periudhës së shqyrtimit publik. Identifikimi i zgjedhësve në ditën e zgjedhjeve kryhet duke përdorur pajisje elektronike identifikimi. Disa bashkëbisedues të MVZ-së të ODIHR-it kanë deklaruar se ndryshimi i fundit i qëndrave të votimit mund të çorientojë zgjedhësit në ditën e zgjedhjeve.
Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetarë bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshilltarë garojnë në këto zgjedhje. Të gjitha listat e këshillave i përmbushin kriteret për gjininë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Periudha 30 ditore e fushatës filloi më 14 prill dhe është veçanërisht e dukshme në Tiranë. Deri më tani, fushata nuk ka qenë e bujshme, dhe përgjithësisht ka patur një ton të moderuar. MVZ-ja ne ODIHR-it është në dijeni të dy rasteve të dhunës, në njërën prej të cilave u rrezikua jeta e një anëtari partie. Ndryshimet e fundit paraqitën masa të tjera mbrojtëse kundër abuzimit me burimet shtetërore. Megjithatë, shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, siç është bonusi i pensionistëve dhe premtimet e nkryeministrit lidhur me pagat e punonjësve të sektorit publik. Komisioneri deklaroi publikisht se sipas interpretimit të tij, dispozitat ligjore përkatëse zbatohen vetëm për zgjedhjet parlamentare.
13 nga 17 ministrat e qeverisë dhe 50 nga 140 anëtarët e parlamentit (35 përqind) janë femra. Kodi Zgjedhor parashikon një kuotë gjinore prej 50-përqind për listat e këshillave bashkiakë, me kritete të përcaktuara qartë. Janë vetëm 15 femra midis 144 kandidatëve për kryetarë bashkie. Tre nga 12 anëtarët e KQZ-së, përfshirë Nënkomisioneren, janë femra, ashtu si dhe 29-përqind të anëtarëve të nivelit të mesëm të komisionit zgjedhor.
Garuesit mund të financojnë fushatën e tyre me fonde publike dhe private. Ligji parashikon kufizime për dhurimet dhe shpenzimet e fushatës. Garuesve nuk iu kërkohet të deklarojnë publikisht përpara ditës së zgjedhjeve, burimin dhe sasinë e fondeve të mbledhura por duhet të dorëzojnë raporte financiare pas ditës së zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor parashikon një listë të hollësishme të sanksioneve për shkeljet financiare të fushatës. Garuesit u qartësuan lidhur me kufizimet për shpenzimet e fushatës vetëm një javë para se të fillonte fushata, atëherë kur KQZja vendosi shpërndarjen e fondeve publike shtesë për fushatën, e cila përdoret për të përllogaritur kufirin e shpenzimeve.
Mjedisi mediatik është i shumëllojshëm, me operatorë të shumtë që veprojnë në një treg të kufizuar reklamash. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësimet se përqëndrimi dhe kontrolli i mediave nga ndërthurja e interesave të biznesit dhe interesave politike, krijojnë pengesa për pavarësinë editoriale dhe i bëjnë gazetarët të pambrojtur ndaj presionit dhe vetë-censurimit. Shpifja vazhdon të jetë vepër penale dhe është e dënueshme me gjoba të rënda. Sipas ligjit, mediat transmetuese duhet të paraqesin një mbulim të paanshëm dhe të balancuar të fushatës, dhe janë vendosur masa për transparencen e reklamimit të zgjedhjeve dhe raporteve për
monitorimin e mediave. Ligji parashikon kohë pa pagesë në transmetuesin publik dhe kohë të paguar në mediat e transmetimit privat. Autoriteti i Mediave Audiovizive ka për detyrë të monitorojë transmetuesit për përmbushjen e kritereve ligjore për mbulimin e fushatës.
Ankimet mund të depozitohen nga garuesit, interesat ligjorë të së cilëve janë prekur. Zgjedhësit mund të depozitojnë ankime lidhur me përfshirjen e tyre në listën e zgjedhësve, dhe vëzhguesit
mund të apelojnë vetëm refuzimin e akreditimit të tyre. Procedura e ankimit administrativ është e hollësishme dhe përfshin garanci të procesit të rregullt ligjor. Deri më 22 prill, 23 ankesa janë paraqitur në KAS, shumica në lidhje me regjistrimin e kandidatëve. KAS-i gjithashtu shqyrtoi 20 kërkesa të Komisionerit për vendosjen e sanksioneve për abuzim me burimet publike dhe pranoi 10 prej tyre. Kolegji Zgjedhor deri më tani ka gjykuar 11 ankime.
Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgim qytetar dhe ndërkombëtar të të gjitha fazave të procesit zgjedhor. Përfaqësues të partive, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur munden gjithashtu të vëzhgojnë. Deri më 22 prill, KQZ-ja ka regjistruar rreth 180 vëzhgues vendorë dhe 131 vëzhgues ndërkombëtarë.