Rama zhvishet në emision, flet si analist për situatën në PD: Mua më intereson sherri (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka bërë show mbrëmjen e sotme në emisionin “Zone e Lirë”. Ai, për të komentuar situatën në PD, ka zgjedhur të flasë si analistë, jo si kryeministër.

Këtë ia ka mundësuar Arjan Çani, dhe Rama hoqi kollaren dhe xhaketën, veshi një xhaketë të kuqe të kadifenjtë, nxori telefonin mbi tavolinë dhe porositi një kafe turke.

Pas kësaj, Rama filloi të fliste si analist, dhe tha se “kalanë” e PD-së do të mbajë sherri që kanë mes njëri-tjetrit Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duke shtuar se nuk kanë legjimitet as njëri dhe as tjetri.

“A do mbajnë kalanë, a do mbajnë gërmadhat e kalasë, nuk dihet. Kalanë s’do e mbajë asnjëri, por sherri, dhe ky është një proces që do shkojë në degradim të vazhdueshëm. Është cënuar legjitimiteti i të dyja palëve, dhe kanë braktisur bazamentin e lidershipit, që është qëllimi i përbashkët të atyre që udhëheqin dhe janë futur në rrugën e marrëzisë duke ndjekur njëri-tjetrin. Hijet janë hije që kacafyten në emër të së shkuarës. Njëri në emër të së shkuarës do të vijë, dhe tjetri në emër të së shkuarës do ta mbajë”, tha Rama.

Por nëse do të ketë tensione dhe përplasje brenda selisë a do ta dërgonte Edi Rama policinë nëse do t’i kërkonte ndihmë Lulzim Basha? “Territoret e partive nuk janë prekur nga ndërhyrje të jashtme. Janë pronësi morale e vetë partive politike. Që unë si analist them që Edi Rama nuk ka punë të përzihet me atë punë”.

Edhe nëse Basha të kërkon ndihmën e forcave të rendit? “Kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e partisë politike me shtetin dhe forcat e rendit. Kjo është vendimmarrje e forcave të rendit. Në këtë pikë dhe punë Edi Rama dhe qeveria nuk kanë punë të përzihen. Kontestimi është brenda territorit nga dy palë që asnjëra dhe as tjetra nuk kanë legjitimitet. Të tjerët janë pengje të njërit dhe tjetrit” tha Rama.

Por çfarë i interes Edi Ramës, Lulzim Basha në krye të opozitës apo rikthimi i Berishës? “Unë mendoj që në mënyrë cinike, Edi Ramës i intereson sherri. Por në mënyrë pragmatike në funksion të asaj që ka nevojë Edi Rama i intereson qetësia, që të ketë të bëjë me një opozitë që mund të flitet, por këto janë të pamundura. Por Edi Rama nuk është me asnjërin” tha ai duke folur si analist i situatës brenda PD-së./albeu.com


Shtuar 17.12.2021 22:12

Tags: