Kryeminisri Edi Rama, në një intervistë emisionin radiofonik nga Alaister Campbell dhe Rory Stewart ka folur ndër të tjera dhe për lidhjen e tij me sportin, konkretisht me basketbollin.
Rama ka shprehur se ka qenë një lojtar mediakër dhe është marrë më shumë me të për të luftuar astmën.
I gjithashtu ka zbuluar sesi i është futur politikës.
Le ta vazhdojmë më tej këtë ide, zoti kryeministër. Ju jeni një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj. Ju jeni i pazakontë si politikan, shumë i pazakontë. Ju jeni një artist serioz, një artist profesionist dhe një lojtar i rëndësishëm basketbolli, një sportist. Kjo përpara se të bëheshit politikan. Si e mendoni politikën? Si e kuptoni që keni qëndruar mjaftueshëm, si e kuptoni se kur mund të jetë fillimi i ndikimit negativ dhe i vështirësive i të qenit politikan?
Edi Rama: Në fillim, dua t’i them gjërat ashtu siç janë. Nuk kam qenë lojtar i rëndësishëm basketbolli. Kam qenë një lojtar mediokër i kombëtares së basketbollit. Arsyeja pse unë u mora me basketboll ishte astma. Prindërit e mi menduan se do të më bënte mirë të luaja basketboll për të luftuar astmën dhe kjo ishte e vërtetë. Arsyeja e dytë pse unë luajta dhe arrita deri në ekipin kombëtar ishte fakti se unë isha veçanërisht i gjatë, në një kohë kur njerëzit në Shqipëri ishin të shkurtër. Dhe së treti, unë u përpoqa të isha në lartësinë e detyrës. Nuk do ta pranoja se kam qenë një lojtar i rëndësishëm i kombëtares së basketbollit. Kam marrë pjesë në disa ndeshje ndërkombëtare, por kam qenë në stol. Por, në fund të fundit, kjo ishte një përvojë e shkëlqyer për të kuptuar shpirtin e punës në ekip, drejtimin, solidaritetin, konfliktin dhe shumë gjëra të tjera që na jep sporti. Ndërsa sot si kryeministër, që jam këtu në një intervistë të drejtuar nga Alastair Campbell, është një mrekulli tjetër e jetës sepse nuk do të isha në politikë nëse Alastair Campbell nuk do të ekzistonte, nëse Tony Blair nuk do të ekzistonte dhe as “rruga e tretë”. Hera e parë që pashë mirazhin e të qenit në politikë ishte koha kur jetoja në Paris duke blerë një gazetë pas fitores së laburistëve të rinj. Më pas, gjërat rrodhën në atë mënyrë që unë u ktheva në Tiranë për funeralin e babait tim. Në atë kohë, unë jetoja duke punuar si artist në Paris. Ishte koha kur ndodhi një riorganizim i qeverisë. Dhe ajo që nuk ndodh në vend tjetër, por mund të ndodhë në Ballkan, është të nisesh për në funeralin e babait dhe bëhesh ministër i Kulturës. Pjesa tjetër, dihet tashmë.
Të qëndrojmë pak këtu. Babai juaj ishte skulptor i realizmit socialist. Ai studioi në Moskë, u kthye në Shqipëri dhe bëri skulptura të heronjve socialistë. Apo jo? Produkte të Shqipërisë së kohës.
Edi Rama: Po, babai im ishte një ndër skulptorët e shquar, zyrtar i regjimit. Ai ishte pjesë e atij grupi skulptorësh që në thelb bëri monumentet më të rëndësishme që nga ana profesionale meritojnë respekt, por që nga ana ideologjike dhe metoda e përdorur unë isha plotësisht kundër. Me babanë kam pasur një marrëdhënie të fortë, por edhe me ndikim të madh. Unë nuk pëlqeja gjërat që bënte ai dhe ai nuk donte që unë të bëja gjërat që bëja sepse kishte frikë se do të përfundoja keq. Por, unë e vlerësoj shumë këtë marrëdhënie sepse ai ishte njeri liberal. Asnjëherë nuk u përpoq të më impononte ndonjë gjë, që unë të bëja ndonjë gjë.
Le të vazhdojmë pak këtu. A ishte babai juaj një njeri i dhënë me të vërtetë me pasion ndaj komunizmit ndërkombëtar? A besonte ai me të vërtetë në politikën e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Kinën në vitet ‘70 apo ishte më pragmatik, domethënë, e kuptoi ku ishte pushteti ndërkohë që ai donte të realizonte artin e tij dhe për këtë bëri kompromis. Kur bisedoje me të gjatë drekës, a kishte shumë biseda ideologjike?
Edi Rama: Mendoj se kishte shumë njerëz si ai, të cilët vinin nga familje të varfra apo le të themi familje jo të pasura dhe të cilët kishin fatin të dilnin jashtë vendit, të shikonin botën, të shkonin në Bashkimin Sovjetik, të studionin atje, të frymëzoheshin nga flaka revolucionare dhe që u kthyen me mendimin për të ndërtuar parajsën në tokë dhe më pas e kuptuan me ngadalë se po ndërtonin ferrin mbi tokë. Prandaj, nuk mendoj se ai kishte akoma pasion kur unë mund të bisedoja dhe kur isha në moshën kur mund të analizoja. Por, mendoj se ishte kombinim i fortë i inercisë me malin e frikës dhe fakteve të jetës sepse në fund të fundit ne ishim plotësisht të izoluar nga Perëndimi, Lindja, ne ishim një Kore e Veriut në Evropë. Prandaj, shumë prej tyre, njerëz të cilët kur kishin qenë të rinj e kishin përqafuar komunizmin si një frymëzim, ideal në fakt, u shndërruan në njerëz të cilët hoqën dorë në heshtjen e tyre. Por, në fund një pjesë e imja u përfshi në lëvizjen antikomuniste në Akademinë e Arteve dhe në fakt aty ishte fara ku filloi karriera ime politike.