Rama u bën thirrje të rinjve: Investoni në Shqipëri, nuk keni parë gjë akoma

Kryeministri Edi Rama, në një dalje para mediave, është ndalur te debati për studentët e mjekësisë dhe projektligjin për të punuar për disa vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, duke thënë se është një akt patriotik, humanitar dhe profesional.

Gjithashtu, kryeministri shprehet se ata që nuk duan të qëndrojnë për disa vite për të shërbyer në spitalet e vendit, atëherë do të duhet që të paguajë tarifën e plotë të studimeve.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka bërë thirrje edhe një herë që të rinjtë të mos synojnë largimin drejt Gjermanisë, por të investojnë në vendin e tyre, pasi sipas tij perspektiva është shumë e lartë.

Ndërkohë, që nuk i ka kursyer as batutat teksa tha: “Ku e gjen në Gjermani kohën, vendin për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh dhe të mbash nëpër gojë dynjanë shqip?! Ku e gjen?! Po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës, nuk do ishin kafet plot… që të mos flas për ata që kafen e pëlqejnë turke. Keni parë në Gjermani si është kafja? Lëng gështenjash! Po flas për perspektivën dhe po flas me shumë besim sepse e kam të bazuar në gjerat që punojmë përditë.Viti i ri po vjen, dhe… s’keni parë gjë akoma”.


Shtuar 20.12.2023 12:15