Rama thirrje për ndalimin e konfliktit në Gaza: Do jem në Paris për të diskutuar rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje t’i jepet fund konfliktit të armatosur në Gaza.

Teksa thekson qëndrimin e Shqipërisë krah Izraelit, thotë se është i shqetësuar për jetët e civilëve në Gaza.

Sipas tij nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin pas krimeve të rënda të kryera më 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmin ndaj Izraelit.

Rama bën me dije se do t’i bashkohet liderëve botërorë në Forumin e Paqes në Paris ku do të diskutojnë për mënyrat e rivendosjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Edi Rama në X:

Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e Presidentit Biden për një pauzë humanitare. Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

/albeu.com


Shtuar 7.11.2023 07:21