“Rama të vijë të japë llogari për lejet e ndërtimit që ka firmosur”, Bardhi akuza nga Kuvendi: Trafikantët shqiptarë po pastrojnë paratë e krimit, e thotë DASH-i

Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, debate dhe akuza mes kampeve politike, ku temë ishin çështjet për pastrimin e parave, drejtësinë, korrupsionin dhe deri lejet e ndërtimit.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, gjatë fjalës në Kuvend citoi raportin e DASH, i cili ngre shqetësimin për pastrimin e parave të krimit të organizuar përmes sektorit të ndërtimit.

Të lidhura

None found

Diskutimet u bënë gjatë trajtimit të rendit të ditës për “Projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”.

Bardhi tha se kryeministri Edi Rama duhet të japë llogari në Kuvend për lejet e ndërtimit të firmosura, duke përmendur me emra krerë të organizatave kriminale të shpallur në kërkim.

“Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistikimin e krimeve të tyre të teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion. Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi”, tha ligjvënësi opozitar.

Më tej ai shtoi me emra konkretë këtë çështje:

“Tani leje ndërtimi Artur Shehut në Vlorë që po e kërkon e gjithë bota si një nga krerët e një prej organizatave më të rrezikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, i ka dhënë leje opozita apo Edi Rama. Ne ja kemi firmosur lejen për resortin luksoz në Vlorë apo Edi Rama?”.

Ai iu referua edhe raportit të DASH, duke nënvizuar se këto konstatime për pastrimin e parave nuk i bën opozita, por SHBA-të nëpërmjet raportit të DASH-it.

“Çfarë thotë në raportin e tij, DASH për 2025? Grupet e krimit të organizuar të drejtuar nga shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë sipas autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit. Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistikimin e krimeve të tyre të teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare”, tha ai

Dhe Bardhi vijoi se:

“Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi”.

Ai denoncoi gjithashtu refuzimit që kryeministri i bën kërkesave për interpelanca.

“Se pastaj kryetari i Kuvendit thotë se nuk është çështje e kryeministrit dhe nuk mund të vijë ai në interpelancë. Ai firmos leje që të pastrohen paratë e pista të krimit të organizuar në vend dhe nuk qenka një çështje shtetërore apo institucionale për kryeministrin”, theksoi kreu i grupit të PD-së.


Shtuar 9.04.2026 21:31