Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po vijon rritjen e qëndrueshme ekonomike, duke e pozicionuar vendin ndër ekonomitë me performancën më të lartë, sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Në episodin e 11-të të podkastit “Flasim”, në sezonin e tij të gjashtë, Rama u shpreh se Shqipëria pritet të shënojë rritje të ndjeshme ekonomike në vitet në vijim.
“Në Shqipërinë 2030 pritet një rritje e të ardhurave prej rreth 32% e PBB-së, çka na vendos në grupin kryesor të ekonomive me rritjen më të qëndrueshme, por edhe më të lartë, gjithmonë sipas organizmave ndërkombëtare, jo sipas thjesht qeverisë shqiptare”. tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo ecuri nuk është rastësi, por rezultat i reformave të ndërmarra ndër vite.
“Kjo rritje nuk është rastësi. Ajo mbështetet mbi themelet që hapëm dhe fortifikuam me reformat tona kurajoze të shumëpritura dhe shumë të munguara për dekada, dhe që e kanë vënë vendin në kushtet që të ecë përpara me shpejtësi”, vuri në dukje Rama.
Sipas tij, rritja ekonomike mbështetet në sektorë që janë në zhvillim të vazhdueshëm, ndërsa një nga efektet më të prekshme është rritja e pagave.
“Ndërkohë, ajo çka është më e mira e prekshme në këtë proces rritjeje është rritja e vazhdueshme e pagave, jo vetëm në sektorin publik, por tanimë edhe në sektorin privat, sidomos për të gjithë ata që kanë një kualifikim të caktuar apo zotërojnë një zanat”, deklaroi ai.
Rama e cilësoi këtë zhvillim edhe si një thirrje për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që të konsiderojnë kthimin në Shqipëri, duke nënvizuar se për shumë prej tyre vendi sot ofron më shumë mundësi si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në cilësinë e jetës.
“Kjo është edhe një thirrje për të gjithë shiptarët jashtë vendit, që të vazhdojnë të shikojnë me optimizëm mundësinë e kthimit në Shqipëri, pasi për shumë prej tyre Shqipëria sot ofron më shumë se sa vendet ku ata janë. Ndërkohë që përtej asaj që ofron drejtpërdrejt për sa i përket punës dhe pages, ofron edhe ngrohtësinë e shtëpisë”, u shpreh Kryeministri.
