Kryeministri Edi Rama, është përfshirë në një tjetër diskutim me gazetaren Klodiana Lala, pas një deklarate të bërë për Shoqatën e Prokurorëve për debatin e krijuar për çështjen e rritjes së pagave të gjyqtarëve.
Në reagimin e tij, kryeministri thoshte se Shoqata e Prokurorëve, që paska treguar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve ishte “ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim”.
Gazetarja Lala, nxorri një dokument që tregonte se shoqata në fjalë ishte e regjistruar. Reagimin e saj e shoqëronte edhe me një koment ku shkruante: “Sapo gënjeu sërish mbreti lakuriq!”.

Në replikë të kësaj, kryeministri shkroi sërish në rrjetin social X, duke thënë se ka shkruar që “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit”, dhe duke shtuar se nuk ka pasur qëllim t’i thumbojë por të ilustrojë moshën e njomë të shoqatës.
Sipas tij, regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por “duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”.
“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë.
Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit”, – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur.
Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave – të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.
Gazetarja reagoi menjëherë, duke shkruar: “Hap pozitiv…Më në fund pranoi se gënjeu”.

