Rama “refuzon” sërish Kuvendin, kryeministri nuk paraqitet në seancë, kush ishin mungesat e tjera

Kuvendi i Shqipërisë po mban një tjetër seancë të tensionuar, teksa opozita e kryesuar nga kryedemokrati Sali Berisha protestonte jashtë.

Mungesat ishin te shumta në parlament, teksa deputetët Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, dhe vetë Berisha, ishin të përjashtuar.

Një grup deputetësh u përplasen me gardën në hyrje të Kuvendit, teksa kërkonin të hynin në seancë.

Ashtu siç ndodhi edhe në seancën e kaluar, kryeministri Edi Rama shënoi sërish mungesë, teksa opozita i kërkon vazhdimisht që të paraqitet për të dhënë llogari për çështjen “McGonigal”.

Nuk dihet ende se në çfarë aktiviteti ka qenë kryeministri, por ai vetë ka ndarë në rrjetet sociale telefonatën e tij në një emision turk, ku njoftoi se Shqipëria do të ndajë 1 milion euro për Turqinë pas tërmetit.

Edhe Lindita Nikolla, kryetarja e parlamentit, mungoi në këtë seancë, teksa në rend dite ishte parshikuar shqyrtimi i kërkesës për shkarkimin e saj. /albeu.com


Shtuar 16.02.2023 12:52