Rama publikon videon: Nepravishta, një thesar i fshehur që ju pret për ta zbuluar

Kryeministri i vendit Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Nepravishta, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Fshati Nepravishtë në Libohovë, i ndodhur 20 kilometra nga Gjirokastra kohët e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj.

Nepravishta në Libohovë, një thesar i fshehur që ju pret për ta zbuluar”, shkruan Rama.

Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.

Zona e Mbrojtur e Kalasë së Melanit, është monument kulture i vitit 1963 me një sipërfaqe prej 87 mijë m2 dhe gështenjave të Nepravishtës.

Gjithashtu, pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët.

Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.

Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën nuk duhet të humbasin as Nepravishtën, një destinacion i ri dhe mjaft premtues në jug të vendit.


Shtuar 25.08.2024 15:23