Rama premton rroga “të majme” për mësuesit: Vitin tjetër dyfishohen

Kryeministri i vendit, Edi Rama së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi pasditen e sotme zhvilloi një takim me mësuesit në Tiranë lidhur me pagat e tyre.

Rama bëri me dije se qeveria ka vendosur të bëjë një rritje të ndjeshme të pagave, e cila është vendosur duke u bazuar te fakti që i kanë tani mundësitë.

Rama: Nuk i kemi pasur më parë mundësitë, jo se nuk kemi dashur. Kategoria juaj ka qenë gjithmonë në vëmendje. Por në fund të ditës nuk është vetëm cështje dëshire, por edhe mundësie.

Rama theksoi se është e rëndësishme që paga minimale të shtyjë edhe sektorin privat. Kur paga minimale rritet, duhet bërë gjithë korrektimi. Ai shpjegoi se kanë bërë një plan me dy hapa, i cili do të nisë tani dhe do të mbyllet vitin e ardhshëm.

Rama: Kemi bërë një plan me dy hapa i cili do të nisë tani dhe do të përmbyllet në vitin e ardhshëm në mënyrë që të realizojmë këtë rritje. Ju e dini shumë mirë që për mësuesit, ishte parashikuar edhe për mjekët, rritja 7%  kështu që do të bëjmë rritjen 7% dhe pastaj në hapin tjetër dhe ky nuk është premtim, por plan financiar, në hapin tjetër pra vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Pra, nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë midis 3584 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të kenë një pagë 95 550 lekë, mësuesit në shkollat e mesme do kenë një pagë 106 800 lekë. Sigurisht këto janë bazat dhe pastaj ka sipas vjetërsisë, kualifikimeve që variojnë, por ky është niveli i pagës së mësuesve.

/Albeu.com/ 


Shtuar 4.04.2023 18:08