Rama për “Associated Press”: Samiti, një moment fantastik për vendin, BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Associated Press. Në intervistën e tij, numri një i qeverisë shqiptare fole për samitin e Bashkimit Evropian në Tiranë, duke u shprehur se kjo demonstron interesat e rritura gjeostrategjike të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Momenti është fantastik. Askush nuk mund ta imagjinonte këtë vetëm deri para dy vitesh dhe tani po ndodh,”- tha Rama në një intervistë për Associated Press.

Rama ka kritikuar më parë BE-në për zvarritjen e saj në pranimin e vendeve të reja anëtare. 6 vendet që janë në fokus të samitit – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – morën garanci për vite me radhë, por panë që hapat e tyre drejt anëtarësimit po ngecnin.

Sipas Ramës, lufta në Ukrainë ka dhënë një sinjal për cenueshmërinë e rajonit dhe i ka dhënë BE-së një nxitje për të futur vendet e Ballkanit Perëndimor në vathën demokratike të Evropës. Ai tha se blloku duhet të punojë “afërsisht me Serbinë”, që nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së gjatë kohës së luftës ndaj Rusisë.

“Zëri i përbashkët i Ballkanit Perëndimor…ka ndihmuar të shtyjë më shumë liderë të BE-së që të lëvizin në rrugën e anëtarësimit sepse ju duhet Ballkani, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha Rama. Kryeministri e quajti takimin e së martës “ngjarjen më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare (të Shqipërisë), duke vënë në dukje se vendi ish-komunist deri në vitin 1990 ishte “i shkëputur plotësisht nga bota dhe nga Europa”.

“Samiti do të sjellë shumë për Ballkanin Perëndimor, për vendin tonë, shumë energji pozitive, shumë shpresë, shumë rrugë të reja, shtigje të reja, që do të përcaktojnë veten në hapat e ardhshëm”, tha Rama. Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin jashtë territorit të saj është një “ogur i mirë për të ardhmen”.

Rama pohoi se marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht ato që përbënin ish-Jugosllavinë, nuk kanë qenë kurrë më të mira, megjithëse pranoi se refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës “është ende “elefanti” që bie në sy në mes të dhomës”.

“Por ne jemi në këtë rrugë dhe do të vazhdojmë të shtyjmë për pajtim, normalizim dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë edhe me Serbinë”, tha ai./AP