Rama: Pagesa në shëndetësi rritet në bazë të performancës së mjekëve

Kryeministri Edi Rama ka qenë këtë të enjte për inspektim në ambientet e Pediatrisë së re në Tiranë. Rama ka dalë në një prononcim për mediat, ku ndër të tjera ka folur dhe për rritjen e pagave për punonjësit e shëndetësisë.

Rama th se rritja e pagës do të bëhet duke u bazuar te performanca e tyre në punë.

“Plotësimi i kushteve për mjekët dhe infermierët për të ushtruar profesionin e tyre është një motiv i fortë për të shërbyer me përkushtim. Rëndom ato që duan të thonë diçka dhe kur nuk kanë çfarë të thonë përsërisin se nuk janë godinat dhe fasadat por njerëzit, është e vërtetë që janë njerëzit, por nëse kushtet që punojnë janë të pafavorshme sado sakrifikojnë njerëzit sërish është e pamundur që të japësh maksimumin.

Unë besoj fort se kushtet fizike të çfarëdo infrastrukture kanë një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në performancën e atyre që janë brenda këtyre hapësirave por edhe mes njerëzve, mjekëve dhe familjarëve. Një marrëdhënie që në të shkuarën ka qenë e acaruar dhe kushtet e punës kanë ndikuar parimisht në këtë marrëdhënie.

Sot na duhet që të shkojmë përtej godinave dhe kushteve fizike jo vetëm me mbështetjen ndaj personelit por dhe krijimin e një hapësire të re ndërveprimi mes personelit dhe vetë shtetit.

Është shumë e rëndësishme që ne t’u japim mundësi mjekëve dhe infermierëve që të paguhen më shumë jo vetëm duke rritur pagën bazë por t’i japim sistemit dhe mundësinë për diferencime. Me këtë duhet që të kuptojmë se më lart ngjiten ato që i japin më shumë sistemit dhe paga bazë është e njëjtë për të gjithë. Një ngjitje marrin të gjithë ato që përmes punës dhe performancës sjell të ardhura më të larta në raport me një tjetër koleg që paguhet me pagën bazë por për shkak të performancës mesatare nuk merr dot sa një koleg. Brenda këtij mandati ne do të përmbyllim çdo pjesë të QSUT-së që ka nevojë për të hyrë në këtë standard duke e kthyer në kompleksin më të madh spitalor në rajon. Këtë vit do të bëjmë një rritje tjetër të pagave dhe parashikojmë që brenda mandatit të shkojë në 40+”, ka thënë Rama.


Shtuar 6.01.2022 13:41