Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili sipas kryeministrit ka marrë në mbrojtje ndërtuesit e një pallati pa leje që është konfiskuar në Tiranë.
Sipas raportimeve bëhet fjalë për një objekt ku është sistemuar Agjencia Shtetërore e Kadastrës që më herët ushtronte aktivitetin në një godinë të dëmtuar.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, e cilëson këtë vendim skandaloz. “Se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik,” tha kreu i qeverisë, duke shtuar se vendime të tilla minojnë besimin te drejtësia.
Sipas Ramës, gjyqtari Balliu dhe prokurorja Gjeli po mbrojnë interesat e ndërtuesve të paligjshëm. Rama kërkon që organet e kontrollit dhe qeverisjes së gjyqësorit të “zgjohen nga gjumi” për të garantuar zbatimin e ligjit.
Statusi i Ramës
Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.
Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.
Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima.