Rama në Portin e Durrësit, takim me përfaqësuesit e biznesit të transportit: Koncesioni i skanimit i gabuar, e trashëguam dhe shmangëm arbitrazhin

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar në Portin e Durrësit, pranë përfaqësuesve të bizneseve të transportit, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërhyrë aty ku ka vonesa nga fluksi i ngarkesave, për të shtyrë përpara eksportet shqiptare.

I shoqëruar nga ministrat e linjës dhe zyrtarë të tjerë, kreu i qeverisë dëgjoi shqetësimet e tyre dhe zgjidhjen e problematikave në port.

“Ndryshimet këtu janë të nevojshme dhe do bëhen, po punohet edhe me Ministrinë për t’ju ndihmuar. Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguam, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar të mënaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro ta ulim në 22 euro.

Por në fund të fundit mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve shteti i bën për punën e vetë, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju“, tha kryeministri ndër të tjera.

Fjalën hapëse e hapi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, që premtoi zgjidhjen e problematikës kohore, duke e shkurtuar me 2-4 orë.

Përfaqësuesit e transportit ndërkombëtar dhe biznesit renditën disa nga shqetësimet e tyre reale, kryesisht tek problematika e vonesave dhe programet elektronike të punës, që janë në vendet e Europës dhe që duhen në Shqipëri pasi janë të nevojshme.

Gjithashtu, u kërkua një shkollë transporti në Durrës.

“Kjo shkollë është e nevojshme që shoferët të jenë më profesionistë, për transport ndërkombëtar tëprofilizuar, njohje të kodit rrugor të vendeve të huaja dhe me përgatitje shtesë”, tha një prej përfaqësuesve.