Menjëherë pasi Sali Berisha përfundoi takimin e tij elektoral në Lushnjë, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Eduart Sharka, kryeministri Edi Rama nisi takimin e tij duke rikujtuar pozicionin e palëkundur të SHBA-ve me Berishën non-grata.
“Këtu në Lushnjë si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se çfarë ka folur deri më sot. Ajo që ju prisni është jo tu themi sesa kemi bërë por të bëjmë akoma më shumë në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe gjithë popullin e Lushnjës. Dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve. Në 14 maj vërtet do votohet për të zgjedhur njeriun që do jetë në krye të punëve, për tu shërbyer qytetarëve. Do votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që e mbajmë në zemër. Në 14 maj, është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe maskën e faqes së zezë të damkosur nga SHBA. Ajo që u ofrohet si alternativë është një turp i madh për Shqipërinë që sot gëzon mbështetjen më të madhe se kurrë më parë që ka pasur nga aleatët strategjikë. Jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”, tha Rama.
Edi Rama e shikon mbështetjen e Berishës dhe Metës, për kandidatin e Himarës Fredi Beleri, si një anti-shqiptari e vërtetë.
“Shëmbëlltyrë e skutave më të thella të kaluarës që nuk i gjen më sot në Greqi. Thotë do helenizoj Himarën, goja e tij është në gjendje të artikulojë ato gjëra të zëza që i ka vuajtur kaq shumë edhe miqësia jonë me Greqinë. Sot na del ky fant spathi në Himarë i hedhur nga faqja e zezë e Shqipërisë“, tha Rama./Albeu.com/