Me anë të një video në llogarinë e tij në “Facebook”, kryeministri Edi Rama, ndau pamje nga tuneli i Llogorasë ku vijon puna për finalizimin e tij, duke bërë që bregdeti i jugut të jetë akoma më afër.
Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta.
Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit.
Paralelisht po punohet edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.
Tuneli kryesor, 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.
Gjithashtu, tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.
Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët.
Postimi:
“MIRËMËNGJES
dhe me tunelin e Llogarasë ku puna vijon për përfundimin e tubit kryesor, ju uroj një të diel të paqtë“, shkruan Rama.