Ditën e sotme, 9 mars, kryebashkiakët dhe kabineti qeveritar do të mblidhen në Shkodër.
Mësohet se kryeministri Edi Rama i ka thirrur për të bërë një analizë më të thelluar për punën që është bërë deri më tani në terren.
Në këtë takim do të jenë edhe një pjesë e kabinetit qeveritar, ministrat dhe zv/ministrat, si dhe drejtuesit politik të qarqeve për analizën e punës në kuadër të rienergjizimit të partisë.
Ndërkohë që gazetarja e Vizion Plus Enkelejda Mema ka siguruar agjendën e punimeve, të cilat do të nisin në 09:30 minuta me pritjen e pjesëmarrësve dhe që do të zgjasë deri në orën 10:00.
Nga ora 10:00 deri në 10:30 do të jetë kryeministri Edi Rama ai që do të mbajë fjalën hapëse, për të vijuar më pas me fjalën e ministrit për Shtetin dhe Pushtetin vendor Arbjan Mazniku. Ku i fundit do të flasë për rreth një orë për analizat financiare, projektet e BE-së, burimet njerëzore dhe shërbimet që ofrohen nga pushteti vendore.
Pas fjalës së Maznikut, pjesëmarrësit do të kenë 30 minuta pushim për një kafe, nga ora 11:30-12:00.
Më pas, Arbjan Mazniku do të bëjë prezantimin për tryezën e diskutimit.
Nga ora 12:10 deri në orën 13:30 janë parashikuar në agjendë 9 tryeza të hapura bashkëbisedimi me anëtarë të qeverisë, kryetarët e bashkive drejtues të agjencive. Në fokus të diskutimeve do të jenë tema të ndryshme duke nisur që nga shëndetësia, arsimi, bujqësia, siguria, financat e deri tek infrastruktura, pronat dhe burimet njerëzore.
Nga ora 13:30-14:00 do të ketë rotacion të tryezave, ku anëtarë të qeverisë dhe kryetarët e bashkive do të japin informacione nga tryezat ku ata nuk kanë marrë pjesë.
Pas këtyre diskutimeve, nga ora 14:00-15:00 pjesëmarrësit do të kenë një orë pushim për të konsumuar drekën, për të vijuar më pas sërish punimet me fjalën e ministrit të Pushtetit Vendor, me propozime për të zgjidhur problematikat që jana hasur në disa bashki të vendit.
16:30-17:00 do të ketë një ndërprerje të shkurtër për kafe dhe për të rinisur punimet me nxjerrjen e përfundimeve të mbledhjes, detyrat e përcaktuara dhe ndjekja e tyre. Këto përfundime do të raportohen nga anëtarët e qeverisë dhe kryetarët e bashkive.
Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e tij përmbyllëse për rreth një orë, nga ora 17:30-18:30.