Rama mbledh nesër Asamblenë, Klosi: Do të ketë riorganizim të strukturave

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka folur lidhur me mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme, 11 shkurt.

Për “Report Tv”, Klosi ka bërë me dije se gjatë kësaj mbledhje do të ketë riorganizim të strukturave dhe analizë të gjetjeve të bëra nga 400 anëtarët sa i takon përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Ndër të tjera ai theksoi se deri në pranverën e këtij viti të kenë mbyllur procesin zgjedhor brenda partisë për të nisur kështu fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do mbahen vitin e ardhshëm.

“400 anëtarët e asamblesë janë shpërndarë në terren këto 2 muaj dhe nesër do kemi një raportim të tyre për raportimin e problematikave dhe gjetjeve në terren. Deri në pranverën e këtij viti ne duhet të kemi përbyllur vakancat që kemi brenda partisë. Punë përgatitore që PS e ka traditë para çdo provcesi zgjedhor.

Presim të kemi një prezencë maksimale të anëtarëve të asamblesë. Jemi në proces zgjedhor në PS, kemi një lëvizje statutore, zgjedhja e kryetarëve të organizatave. Do ketë një vlerësim për gjithësecilin prej tyre dhe do hyjë në një test gjatë kësaj periudhe. Do preken të gjithë nga kryetarët e organizatave e deri në të gjitha nivelet për të shkuar më pas në zgjedhjet e Asamblesë që do zhvillohen në pranverë”, u shpreh Klosi.

I pyetur lidhur me rezultatin që Partia Socialiste pret gjatë zgjedhjeve të 2025-ës, Klosi tha se është ende herët për të folur, mirëpo ajo që është e sigurt sipas Sekretarit të Përgjithshëm është fitorja.

“Jemi shumë shpejt për rezutlatet por nuk jemi shpejt për të gjykuar fitoren. E them me plot bindje se jemi në kohë që një parti e madhe si ne që kërkon të mobilizojë një strukturë kaq të madhe për të fituar mandatin e katërt, nuk i del një vit kohë”, tha ai ndër të tjera.


Shtuar 10.02.2024 19:34