Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i qeverisë shqiptare janë pritur me një ceremoni zyrtare nga kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Shkup.
Më herët, në aeroport, Rama u takua me zv.Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin, “për të nisur një ditë të mirë pune e marrëveshjesh që na afrojnë dhe na forcojnë edhe më shumë”.
Dy qeveritë i rikthehen mbledhjeve të përbashkëta pas 5 vitesh. Herën e fundit, ishte Shqipëria që mikëpriti në Pogradec qeverinë e RMV-së. Mësohet se janë parashikuar që të firmosen rreth 20 marrëveshje dhe memorandume. Televizioni Klan ka mësuar se do të ketë një marrëveshje për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, një protokoll për implementimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare në pikën e kalimit Qafe-Thanë/Kjafasan.
Një program bashkëpunimi mes dy ministrive të Arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencën për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do të jenë memorandume mirëkuptimi për transformimin digjital, për politikat sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, memorandume që do të nënshkruhen pothuaj për çdo dikaster.
Marrëveshje të kësaj natyre, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar dhe si pjesë e nismës Open Balkan, por në këtë rast janë marrëveshje trepalëshe ku janë të angazhuara dhe autoritetet e Serbisë.
Marrëveshjet do të nënshkruhen pas përfundimit të fjalimeve të dy kryeministrave dhe diskutimeve të të gjithë anëtarëve të kabineteve që janë parashikuar të jenë të hapura për mediat.